Lidhje

Jep dorëheqjen i dërguari i OKB-së për Sirinë


I dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe për Sirinë, Lakhdar Brahimi, tha dje se ka në plan të largohet nga posti i tij në fund të këtij muaji. Ai tha se populli sirian ka treguar elasticitet të madh dhe dinjitet, dhe ata duhet të vazhdojnë të punojnë për paqen. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Margaret Besheer, njofton nga selia e OKB-së në Nju Jork se ende nuk është njoftuar emri i pasardhësit të zotit Brahimi.

Dorëheqja e ambasadorit Lakhdar Brahimi është parashikuar prej kohësh. Është folur shpesh për dorëheqjen e tij nga posti i të dërguarit për Sirinë. Ai ka thënë kohët e fundit se nëse zgjedhjet do të mbaheshin në Siri më 3 qershor, puna e tij për të negociuar një marrëveshje politike dhe për të krijuar një qeveri kalimtare do të ishte e pakuptimtë.

Zoti Brahimi dha konferencën e tij të fundit për shtyp në Këshillin e Sigurimit të OKB-së pasi Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki -mun njoftoi se ai e kishte pranuar me keqardhje dorëheqjen e tij. Më pas, zoti Brahimi u tha gazetarëve se paqja në Siri është ende e arritshme.

"Unë kam sugjeruar shtatë çështje që duhet të merren parasysh, të cilat nëse merren seriozisht nga palët, do të çonin në një proces serioz të paqes. Komunikata e Gjenevës ende është, dhe do të vazhdojë të jetë, në qendër të përpjekjeve, por ka një numër mjaft të madh gjërash që duhet bërë".

Lakhdar Brahimi u emërua në positn e të dërguarit për Sirinë në gusht të vitit 2012, duke zëvendësuar ish- sekretarin e përgjithshëm të OKB, Kofi Anan, i cili mbajti këtë post për gjashtë muaj dhe pastaj dha dorëheqjen, duke fajësuar ngërçin në Këshillin e Sigurimit për pengimin e përpjekjeve të tij për arritjen e paqes.

Ambasadori rus Vitali Çurkin lavdëroi zotin Brahimi për përpjekjet e tij, duke thënë se ai ka punuar shumë për arritjen e një marrëveshjeje, por pa suskses.

"Por ne besojmë se përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën në Siri duhet të vazhdojnë".

Lakhdar Brahimi tha se "i vjenë keq" që po lë Sirinë ende të zhytur në krizë, por se ai beson se kjo çështje do të zgjidhet. Ai tha se çështja e vetme është se sa njerëz të tjerë do të vriten dhe sa shkatërrime të tjera do të përjetojë vendi deri në gjetjen e një zgjidhjeje.

Aktivistët e të drejtave të njeriut vlerësojnë se 150 mijë vetë kanë vdekur në Siri që nga fillimi i krizës në mars të vitit 2011.

Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon vlerësoi zotin Brahimi si "një nga diplomatët më të shkëlqyer të botës", duke shtuar se ai "u përball me shanse pothuajse të pamundura".

Disa emra janë sugjeruar si pasues të mundshëm të Lakhdar Brahimit, duke përfshirë ish- ministrin e jashtëm tunizian Kamel Morjane, ish- kryeministrin australian Kevin Rudd , dhe diplomatin veteran të OKB-së Michael Williams.
XS
SM
MD
LG