Lidhje

BE dhe Turqia diskutojnë për të ardhmen e marrëdhënieve


Sot, në Bratisllavë zhvillohet një takim i përbashkët i ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Turqisë. Ndërsa Turqia kërkon udhëtim pa viza në BE për shtetasit e saj, ekzistojnë shqetësime serioze në radhët e organizatës për situatën e të drejtave të njeriut në Turqi pas grushtit të dështuar të shtetit në muajin korrik.

Ministri turk për marrëdhëniet me Evropën, Omar Çelik, iu bashkua sot takimit në Bratisllavë të 28 ministrave të jashtëm të BE-së, për të diskutuar rreth marrëdhënieve delikate ndërmjet tyre:

“Është e rëndësishme të ketë mirëinformim për perspektivën tonë dhe mendoj se do të kemi një takim pozitiv.”

Turqia kërkon udhëtim pa viza në BE për shtetasit e saj dhe kërcënon se nëse nuk përmbushen kërkesat e saj, ajo do të ndërpresë zbatimin e marrëveshjes për të mbajtur emigrantët larg territorit të BE-së.

Por, Brukseli thotë se do ta lejojë një gjë të tillë vetëm nëse Ankaraja tërhiqet nga ndëshkimi i pjesëve të tëra të shoqërisë turke pas përpjekjes së dështuar në korrik të grushtit të shtetit:

“Mendoj se duhet të tregojmë sërish mbështetjen që i dhamë Turqisë që në fillim, pas grushtit të shtetit. Kemi kërkuar që reagimi i qeverisë turke të jetë i përmbajtur. Megjithëse është normale të vendosë sanksione, kur shohim numrin e arrestimeve dhe zhvillimet e atjeshme, jemi të shqetësuar. Do të diskutojmë rreth emigracionit, vizave, por ka shqetësim për situatën e të drejtave të njeriut... Do të diskutojmë pra rreth një partneriteti, por duhet mbajtur parasysh se nëse Turqia vendos vërtet të rikthejë dënimin me vdekje, ky do të jetë fundi i aspiratave të saj për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian.”

Miroslav Lajcak, Ministri i Jashtëm i Sllovakisë, vend i cili mban kryesinë e radhës të BE-së, thotë se diskutimet do të përqëndrohen në atë çfarë Turqia dhe BE-ja presin nga njëri-tjetri:

“Dje patëm një diskutim pozitiv tre-orësh rreth Turqisë. Mendoj se kemi një konsensus se çfarë marrëdhënieje duhet të kemi me Turqinë dhe çfarë të presim nga njëri-tjetri. Mendoj se Ministri turk Celik do të marrë një mesazh të konsoliduar të BE-së gjatë takimit të sotshëm.”

Së fundmi, Ankaraja ka shprehur gjithashtu zemërimin e saj ndaj disa thirrjeve për t’i dhënë fund bisedimeve për anëtarësimin e Turqisë në Bashkimin Evropian.

XS
SM
MD
LG