Lidhje

Brazil: gjyq ndaj ish-presidentit për korrupsion


Në Brazil ish-presidenti Luiz Inacio Lula da Silva do të dalë në gjyq nën akuzat për korrupsioni dhe pastrim parash. Ai akuzohet se ka marrë 1,15 milionë dollarë ryshfete. Zoti Lula da Silva i mohon akuzat. Së bashku me të do të dalin para drejtësisë edhe ish-zonja e parë dhe gjashtë persona të tjerë.

Gjykatësi Sergio Moro vendosi të martën se zoti Lula da Silva, i cili ka qenë president nga viti 2003 deri në vitin 2011, do të gjykohet pasi mendohet të ketë pranuar 1,15 milionë dollarë ryshfete. Kjo është pjesë e një hetimi më të gjerë ryshfetesh që ka të bëjë me kompaninë shtetërore të naftës Petrobras. Ish-zonja e parë dhe gjashtë persona të tjerë do të nxirren gjithashtu para drejtësisë.

Gjatë një telekonference nga San Paulo, me avokatët e tij mbrojtës dhe me përkrahës në Nju Jork, zoti Lula da Silva tha se ndihet “i trishtuar” dhe i “zemëruar” me vendimin e gjykatësit:

“Unë jam një njeri me ndërgjegje të pastër. Nëse dikush paraqet të paktën një grimcë provë kundër meje, unë dua të gjykohem si çdo qytetar brazilian sipas Kushtetutës. Nuk dua ndonjë privilegj, por nuk dua gënjeshtra,” tha ish-presidenti brazilian.

Gjykatësi Moro tha se Lula da Silva dhe të tjerë kanë përfituar nga rinovime në një apartament pranë detit në qytetin Guarujá në shtetin e San Paulos. Rinovimet janë bërë nga kompania e ndërtimit OAS, e cila është përfshirë në skemën e ryshfeteve me Petrobras-in.

Pasardhësja e presidentit Dilma Rousseff, e zgjedhur nga vetë ai, u shpall fajtore për thyerjen e rregullave të buxhetit dhe u largua nga presidenca muajin e kaluar.

Vendimi i gjykatësit mund ta ndalojë ish-presidentin Lula da Silva të rikthehet në politikë për fushatën presidenciale të vitit 2018.

XS
SM
MD
LG