Lidhje

Problemi i shpërnguljeve në Brazil


Kupës Botërore në Brazil po i afrohet fundi, duke lënë pas kujtime të pashlyeshme sportive. Ajo lë pas edhe një shije të hidhur nga dëbimet dhe shpronësimet e tokës që u vunë në zbatim në përgatitje për këtë aktivitet. Ky skenar po përsëritet tani që Brazili përgatitet për Lojërat Olimpike të 2016 në Rio De Zhaneiro.

Vila Autodromo është një komunitet me të ardhura të ulëta dhe të mesme në pjerën perëndimore të Rios.

Ai u krijua 40 vjet më parë pranë një piste garash me makina ku janë zhvilluar gara si Formula Një. Pista e garave nuk ekziston më.

Qeveria lokale po dëbon 500 familje që jetojnë këtu. Afro një e treta e tyre janë larguar dhe banesat e tyre janë shkatërruar.

Arsyeja që japin autoritetet është ngritja e një objekti të rëndësishëm për Lojërat e 2016.

Por shumë banorë të këtushëm nuk duan të largohen. Jane Nascimento është anëtare e shoqatës lokale.

“Ajo që po ndodh këtu është spekulim me pronat. Vila Autodromo ka qenë këtu prej mbi 40 vjetësh. Dikur ishte komunitet peshkatarësh”.

Zonja Nascimento thotë se qeveria po u bën presion banorëve të largohen, duke u prerë dritat dhe shërbimet dhe duke i kërcënuar t’u marrë pronat pa kompensim.

Qeveria thotë se i nevojitet territori për Olimpiket. Por Tadeu Marco Peixoto, një tjetër banor i zonës, nuk e pranon këtë argument:

“Nuk është e vërtetë, pasi zona ku jetojmë nuk është brenda perimetrit ku do të zhvillohen Olimpiket. Duan të na dëbojnë, sepse të varfrit nuk mund të jetojnë me të pasurit. Thonë që bëhet për Lojërat, por këto janë vetëm justifikime”.

Ai thotë se arsyeja e vërtetë është sepse zona që ndodhet në një lagunë pranë plazhit, është bërë shumë e kërkuar për ndërtime. Sipërmarrësit duan të ndërtojnë njësi banimi, zyra dhe komplekse tregtare me vlerë prej miliarda dollarësh.

“Fillimisht u bë një propozim, para se Rio të zgjidhej si organizator i Lojërave, për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të mbledhur taksa në zonë. Por tani kanë ndërruar mendje, megjithëse ne kemi tapitë e pronave dhe i kemi regjistruar”.

Zoti Peixoto thotë se pagoi rreth 10 mijë dollarë për pronën e tij 21 vjet më parë. Tani ajo ka vlerë prej qindra mijëra dollarësh. Ai thotë se ka në plan të qëndrojë në banesën e tij deri kur t’i japin një shumë të mjaftueshme për të blerë diçka me vlerë të ngjashme në një vend tjetër.

Në përgatitje për Botërorin, autoritetet dëbuan banorë në dhjetëra zona të Rios dhe qyteteve të tjera braziliane.

Dëbimet kanë shkaktuar protesta nga brazilianë që besojnë se këto aktivitete u shërbejnë kryesisht interesave të të pasurve. Ndërkohë që mbeten dy vjet deri në Olimpiket e 2016, protesta të tilla nuk ka gjasa të shuhen.

XS
SM
MD
LG