Lidhje

Greenwald: NSA ka përgjuar presidenten e Brazilit


Qeveria braziliane dje thirri për një takim ambasadorin amerikan në Brazil për t’i kërkuar sqarime lidhur me akuzat e reja se Agjencia Kombëtare e Sigurisë e kishte përgjuar presidenten Dilma Rousseff.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Brazil, Thomas Shannon, u takua me Ministrin e Jashtëm brazilian Luiz Alberto Figueiredo, pas një raporti të transmetuar në televizionin brazilian TV Globo në të cilit thuhej se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar komunikimet e Presidentes Rousseff dhe Presidentit meksikan Enrique Pena Nieto.
Ambasada amerikane në Brazilia nuk pranoi të komentonte mbi takimin.

Gjatë një emsioni televiziv të dielën, gazetari amerikan Glenn Greenwald, kolumnist i gazetës Guardian, tha se ai kishte marrë dokumente nga ish kontraktori i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë Edward Snowden të cilat tregojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përgjuar komunikimet e udhëheqëses braziliane, përfshirë emailet dhe bisedat telefonike.

Greenwald i tha gjithashtu kanalit televiziv TV Globo se një dokument i qershorit të vitit 2012 tregonte se komunikimet e Presidentit meksikan Enrique Pena Nieto përgjoheshin një muaj para zgjedhjes së tij në postin e presidentit.
XS
SM
MD
LG