Lidhje

Brazili vend pritës dhe pikë tranziti për refugjatët


Të marrësh arratinë nga zona konflikti si Siria, Iraku dhe Afganistani nuk është e lehtë. Për ata që kanë patur fatin e të largohen, ka pak vende në botë që janë të gatëshëm të pranojë refugjatë nga rajonet e shkatërruara nga lufta. Disa nga këto vende janë në Amerikën e Jugut. Siç njofton korrespondenti i i Zërit të Amerikës Jeff Swicord nga Rio de Zhaneiro, gjatë pesë viteve të fundit, Brazili ka qënë destinacion por edhe pikë tranziti për të shkuar në Evropë ose Shtetet e Bashkuara.

Çdo ditë, Ahmad Hamada shet ushqime të shijshme arabe në lagjen Botafogo në Rio.

AHMAD HAMADA, REFUGEE

“Këtu në Brazil, nuk të jep njeri para ose strehim. Duhet të punosh që të hash.”

Një palestinez i rritur në Siri dhe Liban, ai vendosi të largohet 11 muaj më parë nga trazirat në Lindjen e Mesme për të shkuar në Evropë nëpërmjet Brazilit. Para se Evropa të hapte dyert e saj, Brazili ishte një nga vendet e pakta në botë që u jepte viza sirianëve dhe palestinezëve. Që nga viti 2013 mijëra njerëz kanë shkuar atje në përpjekje për të arritur në Evropë.

Por ëndrra e Ahmadit për të arritur Europën u shua kur, siç thotë ai, punonjësit e emigracionit në aeroportin e Romës e rrahën dhe e kthyen mbrapsht në Brazil.

“U zgjova në aeroplan me katër policë italianë përreth, i lidhur me pranga.”

Refugjatët që arrijnë në Rio de Zhaneiro zakonisht dërgohen tek kjo kishë. Prifti Alex Sampaino drejton Shtëpinë e Mbështetjes për Refugjatët në këto ndërtesa pas kishës. Ai thotë se Brazili njihet për pranimin e të persekutuearve.

“Për dekada të tëra Brazili e ka patur derën e hapur, si për shembull pas Luftës së Dytë Botërore. Aktualisht, për sa u përket refugjatëve sirianë, ka prurje të shumta.”

Ai thotë se në një rast kishin kaq shumë refugjatë saqë u desh të shtronin dyshekë përtokë. Falë ndihmës së tij, shumë arritën në Evropë, ndërsa të tjerë u vendosën në Brazil. Aktualisht janë 35 refugjatë që jetojnë aty. Tre prej tyre janë sirianë. Ahmad Barour është nga Damasku.

“Do të doja shumë të shkoja në Evropë, në Britani, një vend demokratik. Ku të gjithë janë të barabartë, pa diskriminim mes të bardhëve, zezakëve apo të huajve. Të gjithë respektohen në atë vend.”

Tani për tani, Ahmadi është i kënaqur me qëndrimin në Brazil. Ai fiton para të mjaftueshme për të jetuar dhe ka bërë miq. Por një ditë, thotë ai, në qoftë se do të ketë pasaportë braziliane, ai mund të shkojë për të vizituar motrën e tij në Danimarkë.

XS
SM
MD
LG