Lidhje

Brazil: Senati pezullon presidenten Rousseff


Senatorët brazilianë votuan të enjten herët në mëngjes për pezullimin e presidentes Dilma Rousseff, për shkak të shkeljes së ligjeve buxhetore.

Pas një debati gati 22 orësh, u desh një shumicë e thjeshtë për të siguruar hapjen e një gjykimi ndaj presidentes Rousseff, për siç thuhet, përdorimin e parave të huazuara nga bankat shtetërore për të mbuluar deficitet buxhetore dhe për të paguar për programet sociale.

Presidentja Rousseff do të njoftohet formalisht për votimin me 55 vota kundër dhe 22 në favor të saj më vonë gjatë të enjtes dhe do të përballet me gjykimin për shkarkim. Nënpresidenti Michel Temer, do të marrë përkohësisht postin e saj.

Policia braziliane dhe mbështetësit e presidentes u përplasën para Senatit pak para votimit.

Policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e presidentes që hodhën fishekzjarrë. Pengesa metalike ishin vendosur për të ndarë mbështetësit e presidentes me rreth 6 mijë mbështetës të gjykimit të saj.

Disa protestues morën ndihmë për shkak të gazit, ndërsa një person u arrestua për nxitje të dhunës.

Gjykata e Lartë e Brazilit hodhi poshtë një apel të minutës së fundit të Presidentes Dilma Rouseff për të ndalur procesin e Senatit për shkarkimin e saj, duke i hapur rrugën debatit dhe votimit për këtë çështje.

​ Ajo thotë se kundërshtarët e saj, mes të cilëve nënpresidenti Michel Temer, i cili është gjithashtu nën hetim për korrupsion, po përpiqen për një grusht shteti.

Nuk është e qartë ende se sa nga senatorët që votuan për gjykimin e saj do të votojnë edhe për dënimin e saj.

XS
SM
MD
LG