Lidhje

Roussef para Senatit; vazhdon procesi për shkarkim


Në Brazil, presidentja e pezulluar nga detyra Dilma Rousseff doli sot para senatorëve në gjyqin për shkarkimin e saj. Ajo mbërriti në Senat në kryeqytetin Brazilia ku përkrahës të saj e pritën me brohorima.

Si përkrahësit, ashtu edhe kundërshtarët e saj do të kenë mundësinë t’i bëjnë asaj pyetje, pas komenteve në Senat.

68-vjeçarja Rousseff, po gjykohet nën akuzat për shkeljen e rregullave fiskale të buxhetit federal të administratës.

Presidentja e parë femër e Brazilit, ka mohuar të ketë bërë shkelje dhe i ka denoncuar përpjekjet e kundërshtarëve si një konspiracion për përmbysjen e saj dhe për të minujar demokracinë e vendit.

Dje në mbrëmje, senatorët mbyllën ditën e tretë të seancave me zyrtarët, duke marrë në pyetje dy dëshmitarë që ishin thirrur nga avokati mbrojtës.

Ish-ministri i financave Nelson Henrique Barbosa dhe profesori i juridikut në Universitetin Shtetëror të Rio de Janeiros, Ricardo Lodi thanë gjatë dëshmisë se zonja Roussef nuk ka shkelur ligjin.

Pas disa ditë diskutimesh, senatorët do të votojnë në se zonja Rousseff do të hiqet përgjithmonë nga detyra. Nga të 81 senatorët brazilianë, nevojiten votat e 54 prej në mënyrë që shkarkimi të jetë i përhershëm.

Presidenti i përkohshëm Michel Temer ka të drejtën të qëndrojë në post deri në përfundim të mandatit të zonjës Rousseff në vitin 2018.

Pala akuzuese e paraqiti rastin e zonjës Rousseff, duke thënë se ajo ishte fajtore dhe përgjegjëse për recesionin e rëndë që po kalon Brazili, që është ekonomia më e madhe e Amerikës Latine.

Sipas një sondazhi të fundit 57 për qind e të anketuarve e mbështesin shkarkimin, ndërsa 37 për qind janë kundër, shifra të ngjashme me ato të dhjetorit kur filloi zyrtarisht procesi për shkarkim.

Megjithatë, 68 për qind tani mendojnë se Rousseff do të largohet nga detyraq, ndërsa dhjetorin e kaluar kjo shifër ishte vetëm 37 për qind.

XS
SM
MD
LG