Lidhje

Presidentja e Brazilit anulon vizitën në SHBA


Presidentja Dilma Rousseff e mori këtë vendim për shkak të shqetësimeve rreth programeve amerikane të përgjimit në Brazil

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff anuloi planet për një vizitë shtetrore në Shtetet e Bashkuara muajin e ardhshëm mes shqetësimeve rreth përgjimeve elektronike amerikane në Brazil. Zyrtarët amerikanë kanë thënë se përgjimet kishin si objektiv veprimtaritë e dyshimta terroriste.

Brazili është zemëruar nga njoftimet e kohëve të fundit se Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka survejuar komunikimet e presidentes Rousseff me këshilltarët, ka hyrë në rrjetin kompjuterik të kompanisë shtetërore braziliane të naftës së Petrobas dhe ka grumbulluar miliarda email-e dhe telefonata, që kalonin nëpër Brazil.

Si Shtëpia e Bardhë edhe zyra e zonjës Rousseff njoftuan se ajo dhe Presidenti Barack Obama ranë dakord për shtyrjen e vizitës shtetërore.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney tha se Presidenti Obama mirëpret në të ardhmen vizitën e homologes së tij braziliane në Shtetet e Bashkuara.

"Mendoj se për arsye të rëndësisë së marrëdhënieve me Brazilin dhe aspekteve të shumta të marrëdhënieve SHBA-Brazil, Presidenti ra dakord me vendimin për të shtyrë vizitën. Ata të dy mirëpresin këtë vizitë, e cila do të theksojë marrëdhëniet tona të gjera. Presidenti beson, madje edhe Presidentja Rousseff beson, siç e kuptoj unë, se kjo vizitë nuk duhet të mjegullohet nga asnjë çështje e vetme dypalëshe".

Aktivitetet amerikane të përgjimit në Brazil ishin mes dokumenteve, që u bënë të njohura nga ish-kontraktori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edward Snowden.

Në deklaratën e Brazilit thuhet se qeveria e Presidentes Rousseff është e bindur se vizita mund të planifikohet pasi të sqarohet çështja e survejimeve amerikane në Brazil.

Zyrtarë amerikanë kanë thënë se survejimet e NSA-së synonin të ndiqnin veprimtaritë e dyshimta terroriste.
XS
SM
MD
LG