Lidhje

Brazili pranon se ka përgjuar misionet e huaja diplomatike


Brazili, një kritik i zëshëm i agjencive amerikane të zbulimit që kanë mbledhur informacione zbulimi brenda kufijve të saj, pranoi se agjencitë braziliane të zbulimit kanë përgjuar misionet e huaja diplomatike, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe Rusisë.
Por, në një deklaratë të agjencisë braziliane të zbulimit, Abin, thuhet se operacionet e saj të spiunzhit të kryera në vitet 2003 dhe 2004, ishin në përputhje me ligjin brazilian që synon mbrojtjen e interesave kombëtare.
Pranimi për kryerje të operacioneve të spiunazhit ndodhi disa orë pasi një njoftim në gazetën Folha de Sao Paulo përshkroi se si agjentët e qeverisë gjurmonin dhe fotografonin diplomatët rusë dhe iranianë. Në njoftimin e botuar në këtë gazet gjithashtu thuhet se agjencia e zbulimit monitoronte pronën komerciale të ambasadës amerikane në Brazilia të dhënë me qira e cila përdorej si një stacion për shpërndarjen e komunikimeve të ambasadës.
Agjencia braziliane e zbulimit tha gjithashtu se zbulimi i informacioneve mbi operacionet e spiunazhit nga gazetarët brazilianë është i paligjshëm dhe ata që kanë publikuar informacionet sekrete do të ndiqen penalisht.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Brazilia nuk pranoi të komentonte mbi njoftimin e agjencisë braziliane të zbulimit për përgjimet e misioneve të huaja diplomatike.
XS
SM
MD
LG