Lidhje

Rekomandime të reja për kancerin e gjirit


Në një ndryshim të rëndësishëm, por të debatuar, një shoqatë mjekësore amerikane me ndikim, kërkon që gratë të presin moshën 45-vjeçare për të filluar mamogramet e rregullta për kancerin e gjirit.

Shoqata amerikane e Kancerit, e cila prej vitesh kishte mbajtur një qëndrim agresiv për këtë analizë, më parë rekomandonte që gratë mesatarisht të rrezikuara për t’u prekur nga kanceri i gjirit, t’i nënshtroheshin çdo vit analizës, duke filluar nga mosha 40-vjeçare.

Por ky grup e ka ndryshuar tani rekomandimin e mëparshëm, sepse të dhënat treguan që nuk janë shpëtuar një numër i mjaftueshëm jetësh në saje të kësaj analize.

Ndërsa gratë më të reja po i këshillojnë të fillojnë t’i nënshtrohen më vonë kësaj analize, grave mbi 55 vjeç po u kërkohet tani të bëjnë mamogram një herë në dy vjet, në vend të një herë në vit, që ishte më parë.

"Që nga botimi në vitin 2003 nga Shoqata Amerikane e Kancerit i një studimi mbi gratë e rrezikuara më tepër, janë grumbulluar fakte të reja nga kontrollet mjekësore”- thuhet në raportin e shoqatës, të publikuar në Revistën e Shoqatës amerikane të Mjekësisë.

Rregullorja e re është në tepër në përshtatje me Task Forcën e Shërbimeve Parandaluese të SHBA, një panel i ekspertëve të pavarur, me mbështetjen e qeverisë, i cili rekomandon që gratë t’u nënshtrohen mamogrameve një herë në dy vjet, duke filluar nga mosha 50 vjeçare.

"Të dhënat tregojnë qartë se rekomandimet e reja kanë sjellë më tepër përfitime, se janë shpëtuar jetë njerëzish; vlerat janë më të mëdha, krahasuar me rrezikun e të paturit një biopsi fallso pozitive, imazhe fallso pozitive” - tha Dr. Kevin Oeffinger.

Por jo të gjitha gratë, mes tyre ato që i kanë mbijetuar kancerit të gjirit, janë të këtij mendimi.

"Si një e mbijetuar e kancerit të gjirit prej 7 vjetësh, ky ndryshim i propozuar nga Shoqata amerikane e Kancerit, më shqetëson.”- thotë 40-vjeçarja Liz Buscema. "Zbulimi i hershëm është tepër i rëndësishëm për kapjen e kancerit të gjirit në faza të hershme.”

Ndërsa shoqata nuk rekomandon mamograme për gratë 40-44 vjeçare, ajo sugjeron që gratë duhet “të kenë mundësinë” për të bërë mamografi, në se kjo është zgjedhja e tyre dhe se gratë mbi 55 vjeç duhet të kenë mundësoinë që të vazhdojnë t’i nënshtrohen kësaj analize një herë në vit.

XS
SM
MD
LG