Lidhje

Policia izraelite urdhëron kolonët të largohen nga Migroni


Banorëve u është dhënë kohë deri të martën të largohen nga vendbanimi i tyre që konsiderohet i paligjshëm

Policia izraelite u kanë dhënë urdhër një numër kolonësh izraelitë në zonën Migron të Bregut Perëndimor të largohen nga banesat e tyre. Ky vendbanim është ngritur në një kodër që i përket territorit të pushtuar nga Izraeli në Bregun Perëndimor.

Përfaqësuesit e policisë dorëzuan urdhëresën e gjykatës në duart e banorëve, të cilëve u është dhënë kohë deri të martën të largohen nga vendbanimi i tyre që konsiderohet i paligjshëm. Disa familje hebraike të zonës u përpoqën ta apelojnë vendimin pranë Gjykatës së Lartë izraelite, por kërkesa e tyre u hodh poshtë.

Disa familje filluan të largohen që sot, të tjerat thanë se nuk do të largohen vullnetarisht. Një pjesëtar i moshuar i komunitetit u foli ashpër policëve që po zbatonin urdhërin e gjykatës:

“Për fat të keq ju po merrni pjesë në një akt imoral, në dëbimin e hebrenjve nga toka e tyre, nga toka e Izraelit. Do të vijë dita kur ata që morën pjesë në këtë krim, në këtë padrejtësi, do ta paguajnë,” thotë koloni Mordechai Rabinovitch.

Një zëdhënëse e kolonëve tha se ata e respektojnë vendimin e qeverisë por shtoi se presin me shpresën që të kthehen përsëri në vendbanimin e tyre mbi kodër.

Vendbanimi është ngritur në territor që pushtoi Izraeli në Bregun Perëndimor që nga lufta e vitit 1967. Palestinezët duan të ngrenë shtetin e tyre në Bregun Perëndimor, Gazë dhe Jeruzalemin lindor. Çështja e vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor është një pikë fërkimesh në negociatat e vështira për paqe mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG