Lidhje

Pyetje për Brennan mbi sulmet anti-terroriste


Kandidati i Presidentit Obama për postin e Drejtorit të CIA-s, John Brennan, u tha senatorëve që po analizojnë kandidaturën e tij se urdhërat për sulme me avionë të telekomanduar kundër objekteve terroriste jepen në përputhje me standarde rigoroze.

Në një përgjigje me shkrim në adresë të Komisionit të Senatit për Shërbimet e Zbulimit zoti Brennan shprehet se goditjet ndërmerren në përputhje të plotë me ligjin, për të parandaluar sulme terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe për të shpëtuar jetë amerikanësh. Ai shton se nuk ka nevojë për ligje të tjera për këto sulme.

Zoti Brennan është përkrahës i fortë i politikave të administratës kundër terrorizmit, ku përfshihen sulme me avionë të telekomanduar kundër shtetasve amerikanë që dyshohen për aktivitet terrorist jashtë vendit. Ai po ndeshet me pyetje të forta si nga republikanët, ashtu edhe demokratët gjatë seancës për konfirmimin e kandidaturës.

Presidenti Obama i ka dhënë urdhër Departamentit të Drejtësisë t’i dorëzojë Kongresit dokumenta sekrete që përmbajnë justifikimin ligjor për sulmet me avionë të telekomanduar.

11 senatorë kanë kërkuar të shohin dokumentat pasi doli në shtyp një memorandum i Departamentit të Drejtësisë, i cili bazohej në një arsyetim logjik më të zgjeruar për sulme të tilla ndaj personave të dyshuar për terrorizëm.

XS
SM
MD
LG