Lidhje

Diskreditimi i pohimeve të Brian Williams, rrezikon karrierën e tij

  • Keida Kostreci

A ishte një gabim i çuditshëm i kujtesës, apo një prirje për të ekzagjeruar rrezikun, në përpjekje për të dëshmuar sakrificë dhe heroizëm? Këto janë disa nga pyetjet që po diskutohen prej ditësh në median amerikane, që kur doli lajmi se drejtuesi i njërit prej emisioneve më të ndjekura të lajmeve, Brian Williams i NBC-së nuk kishte thënë të vërtetën kur kishte pretenduar se një nga helikopterët me të cilin ai udhëtonte gjatë luftës në Irak, ishte vënë nën zjarrin e granatave dhe Kallashnikovëve. Shumë nuk e besojnë se bëhej fjalë për një lojë të kujtesës, disa thonë se përzierja e rolit të gazetarit me atë të një njeriu të famshëm, ka sjellë pasojat e veta dhe pothuajse gjithkush bie dakord se për një profesion ku besueshmëria është nga pasuritë më të mëdha, kjo është një ngjarje që do të lërë gjurmë. Kolegia Keida Kostreci i hedh një vështrim debatit.

Brian Williams, në emisionin e tij tha se ishte një gabim i kujtesës ndërsa fliste për ngjarjet e para 12 vjetëve.

“Dua të kërkoj ndjesë. Unë thashë se isha në një helikopter që u godit nga zjarri i raketave. Në fakt unë isha në helikopterin e dytë. Ne të gjithë u ulëm në tokë pas incidentit dhe kaluam dy net të tmerrshme në një stuhi rëre në shkretëtirën e Irakut”.

Zoti Williams foli publikisht pasi veteranë që kishin qenë pjesë e ekuipazheve gjatë sulmit në Irak, treguan se në fakt ai nuk ndodhej në helikopterin që u godit. Pohimet e tyre ishin pjesë e një artikulli në gazetën ushtarake “Stars and Stripes”, e cila citonte inxhinierin ajror të ekuipazhit, Lace Reynolds të thoshte se “të krijohej ndjesia se ishte një përvojë personale pjesë e së cilës donte të bëhej dikush tjetër që nuk e meritonte”.

“Ushtarët janë shumë të ndjeshëm ndaj diçkaje që u krijon përshtypjen se dikush ose po e ekzagjeron rolin e vet në situata me rrezik për jetën ose ndaj asaj që ata e konsiderojnë si përpjekje për të marrë një lavdi nga afërsia me ngjarjen. Dhe ata janë shumë të ndjeshëm kur shikojnë se të tjerë, veçanërisht civilë, përpiqen të rrisin figurën e tyre duke e lidhur veten me diçka që kanë bërë ushtarakët”, thotë redaktori përgjegjës i “Stars and Stripes”, Robert Reid.

Në një deklaratë, Williams, drejtuesi dhe redaktori përgjegjegjës i emisionit kryesor të lajmeve të televizionit NBC, Nightly News vuri në dukje se në fillim ai kishte treguar versionin e saktë të ngjarjeve, por “shikimi shpesh herë i videos që na tregonte duke inspektuar zonën dhe mjegulla e kujtesës gjatë vitete, më bëri që në mendjen time t’i bashkoja të dy ngjarjet në një të vetme”.

Javës që kaloi, zoti Williams vendosi që të tërhiqej përkohësisht nga transmetimi i emisionit i cili dje u drejtua nga gazetari Lester Holt që zakonisht jep emisionin e fundjavës. Nightly News ka qenë vazhdimisht edicioni më i ndjekur i lajmeve në televizion, por të premten ai mbeti pas njërit prej konkurrentëve kryesorë, World News Tonight të ABC.

Pohimi i zotit Williams se bëhej fjalë për një gabim të kujtesës, u vu në lojë gjerësisht, por kritikët kanë shtruar edhe pyetje më serioze që vënë në dyshim aftësinë e tij për të vazhduar me drejtimin e lajmeve në kushtet e krijuara.

Analistët për shembull kanë thënë se do të ishte e vështirë për të, ta vinte para përgjegjësisë një politikan për gënjeshtra dhe se në mendjet e njerëzve në audiencë, mund të ngjallen dyshime sa herë ta shohin zotin Williams të raportojë nga një vend ngjarjeje. Ata që e kanë ndjekur zhvillimin e ngjarjeve kanë shprehur zhgënjim.

“Është për të ardhur keq sepse unë pashë shkrimin në internet dhe mendova ‘sa prekëse që ai po ndihmon trupat’. Kur mora vesh që ishte e gjitha sajesë, u shkurajova”, thotë Beau Hadley nga Nju Jorku.

“Është befasuese. Nuk e di sepse duhet ta bëjë dikush këtë. Të sajosh diçka të tillë në kushtet e luftës...Përderisa ai ishte atje, ishte diçka e guximshme edhe pa e zmadhuar. Duket sikur s’ka kuptim të sajosh një histori sikur ishe në avionin që u godit”.

Për këto pyetje legjitime, ekspertët e kujtesës kanë një përgjigje pak të ndryshme nga analistët që e kanë quajtur zotit Williams gënjeshtar. Ata flasin për natyrën e brishtë dhe të ndryshueshme të kutjimeve dhe thonë se ato mund të të mashtrojnë.

Gazeta the New York Times citon disa studime shkencore, sipas së cilave kujtimet jo vetëm që mund të transformohen dhe zbukurohen pa u vënë re por se kujtime krejt të paqena mund të zënë vend në mendjen e njeriut, duke depërtuar kaq thellë saqë ne bindemi se janë të vërteta.

A mund të shpjegojë kjo deklaratat e zotit Williams, mes së cilave edhe një pretendim të tij që është vënë në dyshim së fundmi se gjatë mbulimit të uraganit Katrina në New Orleans ai kishte parë nga dritarja e hotelit një trup pa jetë në sipërfaqe të ujit që kishte përmbytur qytetin?

Pavarësisht nga phimet e ekspertëve të kujtesës, rezultati për një njeri të lajmeve nuk ndryshon. NBC ka filluar një hetim të brendshëm të deklaratave të zotit Williams dhe e ardhmja e tij në këtë televizion është ende e paqartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG