Lidhje

Informaliteti dhe inspektimi tatimor


Autoritetet fiskale të Shqipërisë po vazhdojnë me këmbëngulje operacionin kundër informalitetit në bizneset e mëdha e të vogla të vendit.

Drejtuesit e tatim-taksave dhe inspektoriatit të punës bënë sot të ditur se kanë kryer 13 mijë e 500 kontrolle gjithsej, ku kanë gjetur një seri shkeljesh me faturat dhe licensat.

Drejtorja e përgjithshme e tatim taksave, Briseida Shehaj deklaroi se vetëm në dy javët e fundit nga 1 shtatori, pajisja e bisneseve me kasa fiskale u rrit me 50 për qind, ndërsa përdorimi i kuponit tatimor u rrit me 80 për qind.

Madje tani po ndëshkohen edhe inspektorë të tatimeve, që bashkëpunojnë dhe tolerojnë informalitetin.

Në të njëjtën kohë me inspektorët e taimeve bizneset po kontrollohen edhe nga Inspektoriati i punës.

Midis 113 mijë bizneseve të rregullta, janë gjetur edhe rreth 180 subjekte të paregjistruara, ndërsa 590 firma private janë konfiskuar për shkelje të rënda.

Në fillim të operacionit, qeveria deklaroi se informaliteti në ekonomi është mbi 30 për qind, madje gjysma e bizneseve nuk u japin klientëve fatura fiskale.

Qeveria u bëri thirrje qarqeve të biznesit që ditët e mbetura deri në shtator të plotësojnë kushtet ligjore për t'u bërë biznese të rregullta, para se të mbërrijnë kontrollet dhe ndëshkimet e përcaktuara.

Opozita po e ndjek me shqetësim këtë operacion ndaj bizneseve, që sipas saj, po godet vetëm bizneset që nuk janë klientë të qeverisë.

Kryetari i PD, Lulzim Basha tha se ortakët e qeverisë kanë kapur me monopole degë të ekonomisë dhe se qeveria nuk mund ta bëjë luftën ndaj informalitetit, sepse ata vetë janë përgjegjësit kryesorë të evazionit fiskal, korrupsionit, dhe falimentimit të ekonomisë shqiptare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG