Lidhje

Kabineti i ri i Britanisë zhvillon takimin e parë për të reduktuar deficitin buxhetor


Kabineti i ri i Britanisë u mblodh për herë të parë, pas gati një javë manovrash politike, që u pasuan me marrjen e pushtetit nga një qeveri koalicioni. Kabineti i ri i Britanisë ra dakord të shkurtojë rrogat e të gjithë ministrave me 5 për qind, hapi i parë ky në një përpjekje madhore për të shkurtuar deficitin buxhetor të Britanisë.

Analisti Kerry Brown, i grupit kërkimor Chatham House me seli në Londër, e krahason deficitin e Britanisë me atë të Greqisë, ku problemet financiare kanë çuar në shkurtime masive të shpenzimeve dhe në trazira të rënda shoqërore.

"Qeveria britanike duhet të bëjë disa shkurtime të ndjeshme sepse borxhi shtetror është shumë i madh. Me sa di unë ky borxh është baraz me 12 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Greqia ka një borxh të barabartë me 13.5 të XhDP-së, deficit ky shumë i lartë".

Deficiti i Britanisë është gati 250 miliardë dollarë. Qeveria e re ka premtuar se do të paraqesë një buxhet emergjent brënda 50 ditësh dhe ka thënë tashmë se do të shkurtojë shpenzimet me gati 10 miliardë dollarë këtë vit financiar.
Kryeministri i ri David Kameron thotë se kursimet mund të krijohen nëpërmjet eliminimit të paefektshmërisë.

Krishçën Shuajgër nga Universiteti Durham i Britanisë thotë se zoti Kameron ka folur gjithashtu rreth kalimit të pushtetit tek populli.

"Ideja e tërheqjes së shtetit është në qendër të programeve që synon të zbatojë kryeministri Kameron. Dhe ajo që konservatorët mbështesin është që shteti të financojë më pak shërbimet publike, si shkollat dhe forcat policore, dhe t’i kërkohet popullit që të angazhohet më shumë për të mirën e vet".

Ai thotë se një plan i tillë është në përputhje me politikën tradicionale ekonomike të konservatorëve dhe në kundërshtim me idetë e paraardhësit të tyre, Partisë Laburiste. Ish kryeministri Gordon Brown investoi shumë në sektorin publik, madje besonte se qeveria duhet të vazhdonte shpenzimet me qëllim që ta nxirrte vendin nga recesioni.
Zoti Brown dha dorëheqjen këtë javë, pas krijimit të koalicionit mes konservatorëve dhe liberal-demokratëve.

Marrëveshja e koalicionit u arrit pasi në zgjedhjet parlamentare asnjëra parti nuk fitoi shumicën për të formuar e vetme qeverinë.

Mark Uikam-Xhons nga Universiteti i Bristollit thotë se konservatorët dhe liberal-demokratët e Britanisë kanë pikpamje të ndryshme lidhur me një numër politikash dhe si rezultat tregjet mund të mos reagojnë pozitivisht.

"Tregjet do të japin shenja nervozizmi, ato nuk reagojnë mirë ndaj koalicioneve dhe ndaj pasigurisë politike. Megjithëse në Britani u arrit një marrëveshje koalicioni, tregjet zakonisht nuk reagojnë mirë kur ekzistojnë shumë kërkesa që duhen zgjidhur".

Tregjet reaguan pozitivisht kur qeveria e re njoftoi se do të fillonte të reduktonte deficitin menjëherë.

XS
SM
MD
LG