Lidhje

Assad kritikon sulmet ajrore britanike në Siri


Presidenti sirian Bashar al-Asad ka kritikuar hyrjen e Britanisë në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër militantëve të Shtetit Islamik në Siri, duke thënë se sulmet ajrore të koalicionit janë të paligjshme dhe do të dështojnë.

Në një intervistë të botuar në gazetën britanike, Sunday Times, zoti Assad tha se Shteti Islamik nuk mund të mposhtet vetëm nga sulmet ajrore, dhe se vetëm sulmet nga Rusia që filluan në shtator kanë qenë të efektshme.

Ai ka kritikuar prej kohësh qeveritë perëndimore dhe të tjerët në rajon që mbështesin luftëtarët e opozitës së moderuar, dhe u ankua se sulmet ajrore të koalicionit janë një shkelje e sovranitetit të vendit të tij. Shtetet e Bashkuara dhe shtete të tjera të Perëndimit thonë se sulmet ajrore të Rusisë janë përqendruar kryesisht ndaj luftëtarëve të opozitës dhe militantëve të Shtetit Islamik.

Bashar al-Assad tha në intervistë se nuk ka patur opozitë të moderuar gjatë konfliktit në vendin e tij që filloi në mars të vitit 2011, por vetëm "ekstremistë". Qeveria siriane vazhdimisht i ka quajtur rebelët e opozitës si "terroristë" që nga fillimi i krizës së shkaktuar nga protestat paqësore, që tani është shndërraur në luftë civile shumë-palëshe.

Zoti Assad tha se në qoftë se mbështetja perëndimore dhe rajonale për terroristët përfundon, atëherë konfliktit do të mund t’i vinte fundi brenda "disa muajve".

Britania ka zgjeruar përfshirjen e saj në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, me pjesëmarrjen në sulmet ajrore kundër pozicioneve të Shtetit Islamik edhe në Siri, pasi kryeministri David Cameron kërkoi mbështetje në parlament për këtë çështje.

Ai tha gjatë fjalimit në parlamentin britanik se sulmet ajrore do të jenë "pjesë e një strategjie më të gjerë" për të mposhtur Shtetin Islamik.

Ministria britanike e Mbrojtjes lëshoi një deklaratë të shtunën, ku thuhej se në natën e parë të sulmeve ajrore forcat ajrore të Britanisië së Madhe kishin vënë në shënjestër një fushë naftëmbajtëse në lindje të Sirisë.

XS
SM
MD
LG