Lidhje

Britani, Konservatorët fitojnë zgjedhjet


Partia konservatore Britanike e drejtuar nga kryeministri David Cameron fitoi në zgjedhjet e përgjithëshme të vendit që u mbajtën të enjten. Partia Kombëtare Skoceze ka qënë surpriza e zgjedhjeve duke fituar më shumë se 50 vende. Pas zgjedhjeve kryetari i Partisë Laburiste Ed Miliband pranoi humbjen dhe dha dorëheqjen. Ndërsa në daljen e parë në publik pas fitores, zoti Cameron pranoi se do të mbante zotimet për zhvillimin e një referendumi nëse Britania, ekonomia e pestë më e madhe e botës, do të qendrojë në Bashkimin Evropian apo jo.

Partia konservatore e Kryeministrit David Cameron fitoi bindshëm në zgjedhje, ndonëse në mënyrë të paparashikuar, përkundër gjithë anketave që flisnin për një garë tepër të ngushtë.

“Dua që partia ime dhe qeveria që do të doja ta kryesoja të rimarrë “mantelin” që nuk duhet ta kishin humbur, mbulesën e një kombi, një Mbretërie të Bashkuar, ja kështu do të udhëheq nëse kam shansin të formoj një qeveri gjatë ditëve që vijnë.”

Partia Kombëtare Skoceze mesa duket do të ketë më shumë influencë në qeverinë e re pasi mundi bindshëm Partinë Laburiste, duke e bërë Skocinë thuajse shtet një partiak. Nicola Sturgeon është Ministri i Parë i Skocisë dhe udhëheqës i Partisë Kombëtare Skoceze.

“Është historike, pllakat tektonike të politikës skoceze kanë lëvizur sonte. Ky është një rast historik.”

Edhe mbështetësit si Phil Green ishin të emocionuar nga fitorja historike.

“Kam pritur 45 vjet për këtë ditë historike. Për 45 vjet ose kemi humbur ose nuk kemi dalë mirë dhe kjo tani është e pabesueshme. Do të ndryshojmë fytyrën e Skocisë dhe Britanisë.”

Analistët thonë se qeveria konservatore duhet të gjejë një gjuhë të përbashkët me Skocinë dhe kërkesat për pavarësi më të madhe. Ndërkohë udhëheqësi i Partisë Laburiste Ed Miliband, dha dorëheqjen. Duke folur mbrëmë për median ai u shpreh se ishte një kohë e vështirë për partinë e tij.

“Jemi zhgënjyer dhe është një natë e vështirë për Partinë Laburiste. Nuk kemi arritur ato që kemi dashur në Angli, Uales dhe në Skoci kemi parë se si shtimi i nacionalizmit çoi në humbjen e partisë tonë.”

Analistët presin që kryeministri Cameron të mbajë premtimin për zhvillimin e një referendumi nëse Britania, ekonomia e pestë më e madhe e botës, do të qendrojë në Bashkimin Evropian apo jo.

Disa analistë britanikë kanë spekuluar se fitorja e konservatorëve mund të bëjë që referendumi të realizohet brenda dy viteve të ardhëshme.

XS
SM
MD
LG