Lidhje

Britania përgatitet për vizitën e Papa Benediktit

  • Zëri Amerikës

Britania përgatitet për vizitën e Papa Benediktit

Britania përgatitet për vizitën e Papa Benediktit

Papa Benedikti shkon të enjten në Britani për një vizitë katër ditore. Do të jetë kjo vizita e dytë që një Papë bën në këtë vend që nga Reformimi Protestant në shekullin e 16-të dhe e para vizitë shtetërore. Besimi më i madh fetar në britani është Kisha e Anglisë. Katolikët janë minoritet. Dhjetra mijëra pelegrinë po përgatiten të marrin pjesë në ngjarjet me këtë rast. Por mijëra protestues kanë në plan të marshojnë kundër kësaj vizite.

Claz Gomez është e gëzuar për vizitën e Papës. Ajo ka krijuar një blog që ka patur aq shumë vizitorë saqë Kisha Katolike e zgjodhi atë për të ndihmuar të promovojë turneun e Papa Benediktit. Claz thotë se ky është një shans i madh.

"Familja ime mund të thotë që jam shumë e dhënë pas kësaj vizite. Për shembull unë kam një blog të quajtur Paketa e Pelegrinazhit. Të rinjtë e kishës kanë marrë nga një bluzë të kuqe".

Edhe Grein Mekguajër po përgatitet, por në një mënyrë tjetër. Ajo do t’i bashkohet protestuesve kundër Papës duke përgatitur afishe dhe imitacione për demonstratën kundër vizitës.

"Ne po bëjmë këto kapele, të cilat kanë slloganë si 'Zoti i do fëmijët, gratë dhe homoseksualët. T'u vijë turp katolikëve' si dhe slogani tjetër 'Papa Benedikt – Ku është dashuria'?

Këto pikëpamje të kundërta reflektojnë ndarjen me të cilën Papa do të përballet gjatë vizitës së tij. Vetë Papa ka falenderuar Britaninë paraprakisht për mikëpritjen.

Papa do të mbajë një Meshë këtu në Katedralen Westminster të Londrës para se të flasë për 2 mijë e 500 të rinjve në sheshin përjashta. Ai do të takohet me Mbretëreshën dhe kryeministrin si dhe do të lumnojë një Kardinal.

Vizita e Papës është shtetërore dhe financohet pjesërisht nga taksapaguesit britanik. Kostoja e përgatitjeve – 19 milionë dollarë, pa përfshirë sigurimin – është një nga kundërshtimet që ngrejnë protestuesit.

Akuzat e reja për abuzimet e fëmijëve nga priftërinjtë katolik dhe fshehja e këtyre skandaleve nga kisha ka shkaktuar zemërim mes viktimave dhe besimtarëve katolik. Por megjithë debatin, katolikët në mbarë Britaninë që janë gati 5 milionë – janë entuziastë që kanë shansin të shohin Papën. Peshkopi i Westminsterit thotë se Papa meriton një vizitë shtetërore.

"Papa mund të mos jetë mbret i një vendi të madh por ai është udhëheqës shpirtëror për 20 përqind të popullatës së këtij planeti dhe ai do të sjellë të mira në këtë vend – jam i sigurtë".

Për Claz Gomez dhe mijëra pelegrinë të tjerë, kjo do të jetë një mundësi unike për të parë dhe dëgjuar udhëheqësin e besimit të tyre. Mijëra të tjerë do të ndjekin gjithashtu Papën në çdo hap për të bërë të njohura kundërshtimet e tyre.


XS
SM
MD
LG