Lidhje

Britania kujton viktimat e sulmit terrorist


Britania shënon sot 10-vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse islamike në sistemin e transportit publik në Londër.

52 persona u vranë më 7 korrik të vitit 2005, kur katër të rinj britanikë aktivizuan bomba në tre trena të metrosë dhe në një autobuz në orët e mëngjesit, kur njerëzit shkojnë në punë.

Kryeministri David Cameron vendosi sot një kurorë me lule në memorialin kushtuar viktimave në Londër.

"Dhjetë vjet pas sulmeve të 7 korrikut, kërcënimi nga terrorizmi vazhdon të jetë po aq real, sa edhe vdekjeprurës”, tha kryeministri britanik përmes një deklarate.

“Masakra e muajit të kaluar e 30 britanikëve dhe tetë turistëve të tjerë në një plazh të Tunizisë ishte një “kujtesë brutale” e rrezikut, por ne nuk do të përkulemi kurrë prej terrorizimit”, - thuhet në deklaratë.

Britania aktualisht e ka rritur nivelin e sigurisë në shkallë të lartë, në nivelin e dytë, nga 5 të tilla, që do të thotë se autoritetet janë të mendimit se rreziku për një sulm terrorist mund të jetë “tepër i lartë”.

Përmes një deklarate të rrallë në publik sot, shefi i zbulimit britanik Andrew Parker paralajmëroi për shtimin e rrezikut për ata persona “që janë rritur këtu, por që për një arsye të caktuar kanë vendosur ta identifikojnë veten si armiq të vendit të tyre”, tha zoti Parker.

Kërcënimi terrorist është shtuar, për shkak të mijëra shtetasve perëndimorë, të cilët i janë bashkuar grupit ekstremist Shteti Islamik, që ka nën kontroll rajone të mëdha në Irak dhe Siri. Ekzistojnë shqetësime se ata mund të kthehen shpejt për të kryer sulme terroriste në vendet e tyre.

XS
SM
MD
LG