Lidhje

Brexit - reagojnë kandidatët Trump dhe Clinton


Kandidati i pritshëm republikan për president, Donald Trump tha se parashikon që edhe vende të tjera të ndjekin shembullin e Britanisë dhe së shpejti të bëjnë përpjekje për t’u larguar nga Bashkimi Evropian.

"Njerëzit duan t’u kthehet vendi i tyre siç e kishin më parë, duan të kenë pavarësi, në një farë kuptimi. Kjo po shihet në Evropë, në të gjithë Evropën. Për mendimin tim, do të shohim më tepër se sa ajo që ndodhi mbrëmë. Mendoj se do të ketë edhe shumë raste të tjera, ku njerëzit do të kërkojnë t’u kthehen kufijtë dhe pavarësia financiare,” tha zoti Trump.

Ai i bëri komentet në rezortin e tij të golfit në Tërnberi të Skocisë. Ai tha se ka ngjashmëri mes asaj që ndodhi në Britani dhe asaj që po ndodh në Shtetet e Bashkuara.

Kandidatja e pritshme demokrate për presidente, Hillary Clinton, bëri një deklaratë në Tweeter.

Ajo tha se respekton zgjedhjen e bërë nga populli i Mbretërisë së Bashkuar. “Detyra jonë e parë, - tha ajo, - është të sigurohemi që pasiguritë ekonomike të shkaktuara nga këto ngjarje nuk do të dëmtojnë familjet punëtore.”

“Kjo kohë pasigurish vetëm sa nënvizon nevojën për një udhëheqje të qetë, të qëndrueshme dhe me përvojë në Shtëpinë e Bardhë; nënvizon gjithashtu nevojën që ne të bashkohemi për të zgjidhur sfidat ndaj vendit tonë dhe jo për të shkatërruar njëri-tjetrin,” thuhet në deklaratën e zonjës Clinton.

XS
SM
MD
LG