Lidhje

E ardhmja e BE-së pa Britaninë


Udhëheqësit e Bashkimit Evropian po përqëndrohen të hartojnë një strategji dhe të ardhme pa Britaninë në organizatë, ndërsa i japin fund sot takimit të nivelit të lartë në Bruksel, disa ditë pasi britanikët votuan të largohen nga blloku.

Është kjo hera e parë në 40 vjet që udhëheqësit evropianë takohen pa praninë e homologëve të tyre britanikë.

Ata po takohen për bisedime jo-zyrtare pa praninë e kryeministrit David Cameron, rreth daljes së Britanisë nga blloku.

Udhëheqësit e BE-së kanë bërë thirrje që Britania të largohet me shpejtësi dhe të mos pres përfitime të anëtarësimit pa paguar çmimin.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se BE-ja duhet të ecë përpara dhe të mos presë që Britania të ndryshojë mendim:

"Më lejoni të flas hapur. Nuk shoh ndonjë mundësi që vendimi të përmbyset. Duhet t’i bëjmë vetes një favor të madh dhe të pranojmë realitetin. Nuk është koha për dëshira, por është koha të përballim realitetin."

Zonja Merkel paralajmëroi gjithashtu se Britania nuk mund të ketë privilegjet që vijnë nga anëtarësimi në B.E. pa përmbushur detyrimet e saj.

Duke hyrë sot në takim, Presidentja e Lituanisë tha se është koha të ecet përpara dhe përparësi tani ka BE-ja dhe jo më Britania.

"Ky takim nuk është për David Cameron. Ai dhe Britania e dinë çfarë duhet të bëjnë. Takimi është për ne, çfarë do të bëjmë ne për bashkim dhe përgatitje për një periudhë tranzitore."

Duke folur sot në parlamentin britanik, kryeministri David Cameron paralajmëroi për kohë të vështira për ekonominë e vendit të tij.

"Të gjitha paralajmërimet që bëm se po të votonim për t’u larguar nga BE-ja do të kishte vështirësi përsa i takon ekonomisë, rritjes dhe paqëndrueshmërisë në tregje, po i shohim të gjitha. Ne jemi të përgatitur mirë përsa i takon reagimit të Bankës së Anglisë dhe të Thesarit, por nuk kam dyshim se do të ketë kohë të vështira për ekonominë. Duhet të marrim masa që ekonomia të mbetet e fortë për të përballuar sfidat, por nuk duhet t’i minimizojmë sfidat – ato do të jenë të vështira dhe ne duhet t’i përballojmë."

Ndërkohë tregjet e aksioneve sot shënuan ditën e dytë të mëkëmbjes pas tronditjes që shkaktoi votimi i së enjtes për t’u larguar nga BE-ja.

Megjithëse pjesa tjetër e bllokut kërkon të hartojë një të ardhme pas fazës së daljes së Britanisë, kjo mund të mos ndodhë deri në shtator në rastin më të shpejtë.

XS
SM
MD
LG