Lidhje

Cameron: Dalja nga BE, rrezik për ekonominë britanike


Gjatë një takimi me votues, Kryeministri britanik paralajmëroi sot se dalja e Britanisë nga BE-ja do të rikthente në rënie ekonominë e vendit dhe do të kërcënonte seriozisht sigurinë ekonomike. Me afrimin e referendumit britanik të 23 qershorit, janë shtuar zërat që paralajmërojnë efekte të rënda ekonomike në rast se votohet për largimin nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri britanik David Cameron tha sot se nëse në referendum votohet për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian, atëherë ekonomia e vendit mund të rikthehet në rënie.

“Nëse votojmë më 23 qershor për t’u larguar, atëherë do të kemi votuar për rritje të çmimeve, për më pak vende pune, ngadalësim të ekonomisë dhe recension. Kjo është gjëja e fundit që i duhet ekonomisë tonë pas vendimeve të vështira që kemi marrë dhe progresit të këtyre viteve.”

Ai citoi të dhënat e Departamentit të Thesarit, sipas të cilit dalja nga BE-ja do t’i kushtojë mbi 6 mijë dollarë më shumë çdo familjeje britanike. Paralajmërimet e kryeministrit u bënë gjatë një takimi me votues në Oxfordshire, ku ai theksoi se siguria ekonomike e Britanisë do të rrezikohet seriozisht nëse votohet për daljen nga BE-ja.

Një ditë më parë, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar paralajmëroi për rreziqet e daljes së Britanisë nga BE-ja.

“Shumica e analizave ekonomike tregojnë se një largim nga BE-ja do të kishte kosto afatgjata edhe nëse tejkalohet periudha e pasigurisë. Ndërkaq, ka rrezik për një kundërreagim edhe në periudhën afatshkurtër,” tha zonja Lagarde.

Ndërsa Ministri gjerman i Financave ka qartësuar se nuk do të lejohet që një votim për dalje nga BE-ja të përdoret për një rinegocim të statusit të Britanisë në BE.

“Nuk do të ketë marrëveshje të dytë në tavolinë. Vota për të dalë nga BE-ja nuk do të përdoret për një marrëveshje tjetër. Nëse Britania voton për të qëndruar në BE, marrëveshja e arritur do të hyjë në fuqi menjëherë. Nëse voton për t’u larguar, atëherë do fillojë menjëherë proçesi i daljes,” u shpreh ministri gjerman Schaeuble.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG