Lidhje

Gjykata britanike shqyrton procesin e daljes së vendit nga BE-ja


Protestues kundër largimit të Britanisë nga BE, përpara Gjykatës së Lartë në Londër

Protestues kundër largimit të Britanisë nga BE, përpara Gjykatës së Lartë në Londër

Aktivistët në Britani po sfidojnë autoritetin e Kryeministres Theresa May për të vendosur fillimin e procesit të daljes së Britanisë nga BE-ja, pa një vendim nga parlamenti.

Gjykata e Lartë filloi sot marrjen në shqyrtim të çështjes, që pritet të ketë pasojat më të rëndësishme për këtë gjeneratë.

Qeveria thotë se zonja May ka autoritetin për t’i filluar negociatat për daljen e Britanisë nga BE-ja, pa u votuar në dhomën e ulët të parlamentit, bazuar mbi një lloj privilegji ekzekutiv të quajtur “prerogativa mbretërore”.

Aktivistët, ndër ta edhe menaxherja e investimeve Gina Miller, thonë se procesi nuk mundet të fillojë pa një votim në parlament.

Zonja Miller, që udhëheq lëvizjen, thotë se padia nuk synon të mbajë Britaninë në BE, por se ka si qëllim ruajtjen e proceseve demokratike.

Ajo i tha agjensisë së lajmeve Associated Press se: “Kjo ka të bëjë me demokracinë. Kështu do të vendosej një precedent shumë i rrezikshëm, që qeveria të mënjanojë parlamentin dhe të mos konsultohet me të kur ndërmerr vendime për të drejtat e popullsisë. Kjo është tepër e rrezikshme.”

Në referendumin që u mbajt në Britani më 23 qershor, votuesit zgjodhën me një rezultat të ngushtë, me 52%, për largimin e vendit nga BE-ja.

Protestues nga të dyja palët u mblodhën sot në mëngjes përballë Gjykatës së Lartë në Londër, e cila do të kryejë seanca dëgjimore deri ditën e hënë.

Pavarësisht nga rezultati që do të dalë, zonja May tha se ajo do t’i japë mundësinë parlamentit ta diskutojë daljen nga BE-ja, megjithëse e bëri të qartë se nuk do të ndryshohet rezultati i referendumit.

Ajo tha se: “Mbretëria e Bashkuar do të largohet nga Bashkimi Evropian. Nuk jemi duke e pyetur veten se çfarë copëzash të anëtarësisë do të mbajmë”.

XS
SM
MD
LG