Lidhje

Britani: Zemërim në radhët e komunitetit grek lidhur me planin e Sekretares May

  • Ardita Simiçia

Sipas njoftimeve, Departamenti i Punëve të Brendshme po shqyrton një plan që të pengojë dyndjen e pakontrolluar të imigrantëve grekë

Problemet ekonomike në Greqi, të ndërthurura edhe me paqartësitë politike që kanë bërë të nevojshme zhvillimin e një raundi të dytë zgjedhjesh, janë burim shqetësimi për shumë investitorë. Ata i druhen mundësisë se Greqia mund të tërhiqet nga Eurozona. Ndërkaq, sipas një ankete të fundit vetë grekët, rreth 80 për qind e tyre, duan të mbeten pjesë e Eurozonës. Britania duket se do t’i dalë përpara problemit dhe, sipas njoftimeve, po shqyrton një plan që ka zemëruar shumë grekë:

Njoftimin e bëri rrjeti televiziv Sky News, sipas të cilit Departamenti i Punëve të Brendshme në Britani po shqyrton planet për të mos lejuar një dyndje të pakontrolluar të imigrantëve në Britani nëse dështon monedha euro. Një shqetësim kryesor është rreziku që një vend si Greqia të shkëputet nga Eurozona.

Në një lagje të Londrës të njohur për përqendrimin e lartë të emigrantëve dhe bizneseve greke, komentet e Sekretares së Punëve të Brendshme Theresa May nuk janë pritur mirë.

Saki, një biznesmen grek në pension thotë se rreziku kryesor nuk vjen nga vendi i tij, por vende të tjera evropiane:

“Plani është budallallëk. Greqia ka 11 milionë vetë. Britania duhet të shqetësohet se do ta mbysin njerëz nga Spanja, Portugalia dhe Italia që kanë mbi 125 milionë vetë. Grekët janë shumë krenarë që jetojnë në Greqi”.

Të tjerët e akuzuan Sekretaren May për reagim të ekzagjeruar:

“Është gjendje e vështirë, por nuk besoj se do të ketë dyndje imigrantësh”.

Zemërim ka shkaktuar këto ditë edhe komenti i kreut të FMN-së Christine Lagarde për të përditshmen britanike “The Guardian” se fëmijët në Afrikë e meritojnë më shumë se grekët ndihmën financiare.

Ndërkaq, Profesor Takis Tridimas shpjegon se Britania nuk do ta ketë të lehtë të vendosë kufizime ligjore për të penguar grekët të futen në këtë vend:

“Shqetësimet ekonomike nuk justifikojnë vendosjen e kufizimeve. Çdo kufizim që vendoset duhet të lidhet me kushtet specifike të individit. Me fjalë të tjera, nuk është e mundur të pengosh hyrjen në një vend të një kategorie të tërë nga një vend tjetër i BE”.

Ndërkaq, Greqia vetë po përgatitet për një raund të ri zgjedhjesh më 17 qershor, pasi raundi i parë nuk nxori një rezultat të qartë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG