Lidhje

Britani: Negociata mes liberal demokratëve dhe konseravtorëve për qeverinë e re

  • Ardita Simiçia

Me 306 vende në Dhomën e Komuneve, konservatorëve u mungojnë 18 vende për të siguruar shumicën. Marrëveshja me liberal demokratët ua siguron konservatorëve qeverisjen e vendit për katër vjetët e ardhshëm. Liberal-demokratët kanë në plan ta shfrytëzojnë këtë kartë politike për një numër reformash që ua kanë paraqitur si parakusht koservatorëve. Nik Kleg,udhëheqësi i liberaldemokratëve thotë:

“Pa diskutim, rezultatet e zgjedhjeve nënkuptojnë se politikanët e kanë për detyrë të diskutojnë me njëri-tjetrin, pasi populli ka nevojë për një qeveri të mirë dhe të qendrueshme. Në bisedime do të këmbëngulim për katër përparësitë e mëdha që kemi nënvizuar vazhdimisht, edhe para zhvillimit të zgjedhjeve. Së pari kërkojmë reformimin e politikave të taksave, e dyta kërkojmë një strategji të re për arsimin që t’u ofrojë të gjithë fëmijëve fillimin e duhur në jetë, e treta, kërkojmë një strategji të re ekonomike, që të mund të rindërtojmë ekonominë e vendit, dhe së katërti kërkojmë reforma themelore në sistemin politik të vendit. Pikërisht në këto reforma i bazojmë bisedimet në të ardhmen”.

Pavarësisht se çfarë forme merr qeveria e ardhshme e koalicionit, konservatorëve do t’u duhet mbështetja e tre të katërtave të liberal-demokratëve në Parlament.

Dy partitë kanë mospajtime të mëdha, përfshirë zëvendësimin apo jo të flotës së nëndetëseve bërthamore si dhe reformimin e kodit zgjedhor. Liberal-demokatët kërkojnë ndryshime në një sistem votimi që ka favorizuar tradicionalisht dy partitë kryesore, konservatorët dhe laburistët. Ata favorizojnë një sistem të praktikuar në shumë vende evropiane, ku partitë marrin vende në parlament në proporcion me votat që kanë fituar, gjë që eliminon mundësinë e daljes së një partie të vetme në pozitë dominuese.

Nëse kapërcehen mospajtimet dhe arrihet mbështetja e liberal demokratëve, konservatorët do të kishin një numër të mjaftueshëm votash në Parlament për miratimin pa problem të axhendës legjislative. Liam Fox i Partisë Konservatore shprehet optimist se mund të arrihet një marrëveshje relativisht shpejt:

“Shpresoj se do të arrijmë një marrëveshje së shpejti. Do të ishte shumë problematike nëse të hënën, kur hapen tregjet financiare, ende nuk ka marrë formë një qeveri e qendrueshme për Britaninë. Përjetuam një rënie të ndjeshme të paundit dhe kërcënime ndaj normave të interesit. Politikanët e kanë për detyrë të lënë mënjanë mospajtimet dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për të krijuar një qeveri të qëndrueshme.”

Ndërkohë që vazhdojnë negociatat për koalicionin e ardhshëm qeveritar, Gordon Brown i laburistëve do të vazhdojë të qëndrojë në postin e kryeministrit të vendit që partia e tij e ka mbajtur që në vitin 1997.

XS
SM
MD
LG