Lidhje

Britani: Qeveria e re e koalicionit dhe politika e jashtme britanike

  • Henry Ridgwell

Me fitoren e shumicës nga një parti politike në zgjedhjet e fundit të Britanisë, konservatorët e qendrës së djathtë dhe liberaldemokratët e qendrës së majtë kanë formuar tashmë një qeveri koalicioni të pazakontë. Gjatë fushatës elektorale, secila parti sulmoi politikën e jashtëme të tjetrës, që nga çështja e luftës në Afganistan e deri te marrëdhëniet me Evropën. Ende ekzistojnë pikëpyetje nëse këto dy parti do të mund të bashkëpunojnë dot për një kohë të gjatë. Gjithsesi, problemet e ngutshme që ka vendi po i detyrojnë të punojnë së bashku tani për tani.

Hamid Karzai ishte i pari udhëheqës i huaj i ftuar në Britani nga kryeministri i saj i posazgjedhur.
David Cameron e ftoi presidentin afgan për bisedime vetëm pak ditë pasi u bë kryeministër. Një shenjë e qartë kjo e përparësive të qeverisë së re në politikën e jashtme.

Britania ka afro 10 mijë trupa në Afganistan, çfarë do të thotë se zoti Cameron trashëgoi një vend në luftë. Ai ka deklaruar se do ta vazhdojë angazhimin e Britanisë në këtë luftë.

Por partnerët e partisë së tij konservatore në koalicion, Liberal Demokratët e zotit Nick Clegg, historikisht kanë patur rezerva rreth kostos njerzore dhe financiare të kësaj lufte.

A mund të bëhet kjo shkak për një përçarje në zemër të qeverisë?

Ish deputeti konservator, Mattthew Parris – i cili është komentator i gazetës "Times" nuk mendon se po.

"Mendoj se si Nick Clegg ashtu edhe David Cameron kanë dyshime në vetvete rreth angazhimit në Afganistan dhe rreth shansit për sukses në këtë luftë. Por të dy janë të një mendjeje se britanikët nuk mund t’i kthejnë shpinën kësaj lufte nëse edhe amerikanët nuk veprojnë kështu."

Tani që qeveria britanike e koalicionit sapo është formuar, autoriteti i saj është vënë para një sfide me çështjen e Iranit.

Perëndimi po harton një paketë sanksionesh të OKB-së kundër Teheranit, për programin e tij bërthamor megjithë marrëveshjen që Irani ka arritur me Brazilin dhe Turqinë për ta pasuruar lëndën djegëse bërthamore jashtë vendit.

Presidenti iranian, Mahmoud Ahmadinejad akuzon Britaninë dhe Perëndimin se jetojnë në të kaluarën dhe presin që vendet e tjera t’u binden urdhërave të tyre.

Kjo çështje ishte në krye të diskutimeve kur sekretari i jashtëm britanik, William Hague, bëri vizitën e tij të parë jashtë vendit në Uashington dhe refuzoi të përjashtojë si alternativë një veprim të mundshëm ushtarak kundër Iranit.

"Ne kurrë nuk e kemi përjashtuar mbështetjen e një veprimi ushtarak në të ardhmen ndonëse nuk bëjmë thirrje për veprim ushtarak. Pikërisht sepse duam që çështja të zgjidhet paqësisht dhe shpejt, prandaj edhe kërkojmë sanksione."

Ish ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Jeremy Greenstock, thotë se komentet për veprime ushtarake janë manovër e kalkuluar.

"Tani për tani kjo shërben më tepër si një kërcënim. Mendoj se parlamenti dhe opinioni britanik nuk do të ishte në favor të hyrjes së Britanisë në një veprim ushtarak por është qeveria ajo që vendos për këto gjëra pra duhet të presim për të parë se çdo të dalë nga kjo."


Përballë një krize financiare brenda vendit, thotë zoti Greenstock, qeveria e koalicionit nuk dëshiron ta testojë martesën e saj politike në çështje të vështira të politikës së jashtëme.

"Nuk mendoj se është çështje politikash partiake fakti që Britania kontribuon për zgjidhjen e problemeve globale, që kontribuon në forumet ndërkombëtare, që ndihmon aty ku mundet dhe me aq sa mundet. Kjo nuk do të ndryshojë, nuk është çështje partiake. Kjo qeveri do të testohet në mënyrën se si po e trajton ekonominë, borxhin dhe deficitin kombëtar."

Çështjet e borxhit dhe protestat me dhunë në Greqi ishin një paralajmërim i qartë për Britaninë.

Edhe vendet e tjera europiane po përballen me rreziqe dhe në kushtet e një borxhi publik rekord, edhe Britania synon të shmangë një situatë krize.

Analistët thonë se duke patur një sekretar të jashtëm proamerikan, dobësitë e tanishme financiare të Europës do t’i forcojnë më tej lidhjet e ngushta të Britanisë me Amerikën, megjithë qendrimet tradicionalisht proeuropiane të liberal demokratëve.

Qeveria e re sapo ka filluar nga puna. Por në këtë koalicion, të dy partnerët thonë se janë gati të bëjnë kompromise për çështjet thelbësore në vazhdën e përpjekjeve për të rikthyer besimin te ekonomia britanike.

XS
SM
MD
LG