Lidhje

Britani, gjendet i vdekur gazetari që dha alarmin për përgjimet


Britani, gjendet i vdekur gazetari që dha alarmin për përgjimet
Britani, gjendet i vdekur gazetari që dha alarmin për përgjimet

Policia në Londër thotë se është gjetur i vdekur gazetari britanik Shon Hor, i cili ishte i pari që dha alarmin për skandalin e përgjimeve në gazetën News of the World. Raportet e policisë thonë se vdekja nuk konsiderohet e dyshimtë, njofton agjencia e lajmeve Britain's Press Association.

Ndërkohë, Rupert Murdok dhe i biri i tij James do të paraqiten nesër përpara parlamentit britanik për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth skandalit të përgjimit të telefonave të gazetës së mbyllur tashmë News of the World. Skandali ka detyruar dy zyrtarë të lartë të policisë britanike që të japin dorëheqje. Policia britanike gjithashtu akuzohet se ka pranuar rryshfet nga gazetarët.

Kryeministri britanik Dejvid Kameron do të kthehet më shpejt nga vizita e tij në Afrikë për shkak të skandalit të përgjimeve që përfshin disa njerëz me lidhje të ngushta me udhëheqësin britanik. Zoti Kameron pritet të kthehet në Londër të mërkurën për t’u marrë me krizën.

Parlamenti britanik do të fillonte gjashtë javë pushime nesër, por planet ndryshuan. Ai mund të mbajë një sesion të posaçëm të mërkurën me kthimin nga Afrika të kryeministrit David Cameron.

Shefi i policisë së Londrës dha dje dorëheqjen lidhur me përfshirjen e policisë në skandalin e gazetës tashmë të mbyllur, News of the World. Pol Stivenson u tha gazetarëve se nuk ka bërë asgjë gabim.

"Më lejoni ta them qartë, unë dhe njerëzit që më njohin e dimë se integriteti im është i pacënuar. Ndoshta do të ishte mirë që disa gjëra të ishin bërë ndryshe por çështja e integritetit tim personal nuk më shqetëson fare."

Stivenson tha se nuk donte që kritikat ndaj tij të pengonin punën e policisë. Policia britanike është akuzuar se ka pranuar rryshfete nga gazetarët e News of the World dhe se nuk ka bërë sa duhet për të hetuar skandalin e përgjimit.

Të djelën, policia arrestoi zonjën Rebeka Bruks, ish redaktore e News of the World dhe ekzekutive e lartë e perandorisë mediatike të Rupert Murdokut. Ajo u lirua me kusht disa orë më vonë.

Bruks ishte redaktore nga viti 2000 deri më 2003 kur kanë ndodhur shumë nga aktivitetet kriminale. Ajo ka këmbëngulur se nuk ka qënë në dijeni.

"Nuk ka mundësi që një gazetar të vijë me atë lloj informacioni dhe redaktori të mos pyesë – ku e more këtë raport... cili është burimi?" pyet analisti i medias Ken Oleta.

News of the World u mbyll një javë më parë pas akuzave se gazetarët kanë marrë ilegalisht mesazhet me zë të qindra figurave të njohura, politikanëve, gazetarëve rivalë dhe bile edhe të viktimave. Gazetarët e tabloidit dyshohet gjithashtu t’i kenë dhënë rryshfete policisë për informacionin.

Në Shtetet e Bashkuara, FBI-ja ka filluar një hetim për të përcaktuar nëse punonjësit e konglomeratit News Corporation të Murdokut janë përpjekur të përgjojnë telefonat e viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit dhe të familjeve të tyre apo janë përpjekur t’i japin rryshfete policisë për informacione.

XS
SM
MD
LG