Lidhje

Britania, drejt izolimit nga BE?


Britania, drejt izolimit nga BE?
Britania, drejt izolimit nga BE?

Javën e kaluar, në një takim të nivelit të lartë, udhëheqësit evropianë ndërmorën hapa për të zgjidhur problemet afatgjata financiare. Por, siç njofton nga Londra korrespondenti i Zërit të Amerikës Al Pessin, ata po veprojnë pa njërën nga ekonomitë më të mëdha të kontinentit, Britanisë. Gjithashtu, ata i lanë të pazgjidhura disa probleme të rëndësishme.
Negociatat në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel vazhduan deri pas mesnate.
Brenda, 27 udhëheqësit evropianë përpiqeshin të vendosnin rregulla të reja fiskale. Por në fund, kryeministri britanik David Cameron vuri veton, duke krijuar disa momente tensioni me Presidentin francez Nikolas Sarkozi dhe udhëheqës të tjerë.

Njeriu që kryeson takimet e nivelit të lartë të BE-së, Herman Van Rompuy, president i Këshillit të Evropës, e shpjegoi kështu atë që ndodhi:

"Të 17 vendet anëtare të eurozonës dhe shumë të tjera janë të angazhuara për një kontratë të re fiskale. Fjala është për më shumë disiplinë fiskale, më shumë sanksione automatike dhe mbikqyrje më të reptë".

Por Britania nuk do të marrë pjesë. Pas kthimit në Londër, zoti Cameron e mbrojti vendimin e tij në një prej seancave të zhurmshme të parlamentit.

"Sinqerisht më duhet t’ju them se alternativa ishte ose një traktat pa masa garantuese ose pa traktat fare dhe përgjigja e drejtë ishte më mirë pa traktat. Nuk ishte e lehtë për t’u bërë, por ishte vendimi më i drejtë."

Zoti Cameron tha se i vuri veton planit, duke mos lejuar që ai të kthehej në politikë zyrtare të Bashkimit Evropian, sepse kjo do të dëmtonte industrinë e rëndësishme britanike të shërbimeve financiare duke i dhënë burokratëve në Bruksel pushtet të tepërt mbi buxhetin britanik. Vendimi nuk u prit mirë nga udhëheqësi i opozitës britanike.

"Ai na bëri të humbasim vendin tonë në tryezën e negociatave. Në vend që t’i mbronte bizneset britanike, ai i la ato të pambrojtura. Pra u kthye me një zgjidhje të keqe për Britaninë", tha Ed Miliband, udhëheqës i opozitës.

Më pak pritej kritika nga Nick Clegg partner i koalicionit dhe zëvendëskryeministër.

"Unë mendoj se izolimi në Evropë, ku ne jemi një kundër 26 është një gjë e keqe për vendet e punës, për rritjen ekonomike dhe për jetesën e miliona njerëzve në këtë vend."

Britania e ka përjashtuar veten nga monedha e përbashkët euro dhe nuk ka pranuar të marrë pjesë në marrëveshjen e BE-së për kufijtë e hapur. Por ajo ende është një anëtare me ndikim në BE. Zoti Cameron thotë se vendimi për të lejuar të tjerët të vendosin rregulla të reja fiskale nuk bën përjashtim.

"Kur është fjala për gjëra të tilla si mbrojtja, ne jemi një anëtar i rëndësishëm i NATO-s. Kur është fjala për tregun e njësuar evropian, ne jemi ndoshta zëri më i respektuar në BE. Por kur është fjala për eurozonën, a duhet që ne të kërkojmë të jemi në çdo takim ku diskutohet euroja? "

Por disa analistë thonë se vendimi do ta lërë Britaninë jashtë disa diskutimeve të rëndësishme që lidhen me partnerët e saj kryesorë tregtarë në Evropë gjatë kësaj periudhe të vështirë ekonomike. Midis këyre analistëve është Mujtaba Rahman i grupit Euroaziatik për vlerësimin e rrezikut:

"Mbretëria e Bashkuar është tani plotësisht e izoluar. Në të ardhmen, kjo do t’i bëjë marrëdhëniet e Britanisë me BE-në shumë më të ndërlikuara, shumë më të rrezikshme."

Zyrtarët më të lartë ekonomikë të BE-së, thonë se bankat britanike nuk do t’u shpëtojnë dot rregullave të reja që synojnë të shmangin një përsëritje të krizës aktuale.

Por më e rëndësishmja, sipas Jennifer McKeown të firmës Capital Economics, është se krerët e BE-së nuk bënë sa duhet për të zgjidhur problemet e tyre kryesore si mungesa e fuqisë konkurruese dhe rritja e ngadaltë.

"Ne parashikojmë se Greqia do të largohet nga eurozona vitin e ardhshëm. Dhe se ka mundësi që disa ekonomi të tjera të vogla ta pasojnë atë, ndoshta në vitin 2013. Fjala është për largimin e Portugalisë dhe ndoshta të Irlandës."

Pra, me gjithë tensionin brenda BE-së dhe pasojat për Britaninë, krerët e BE-së ndoshta i qetësuan disi tregjet financiare, por vetëm përkohësisht. Në fillim të vitit të ardhshëm, kur disa nga ekonomitë e kontinentit do të duhet të marrin përsëri borxhe, atmosfera e krizës mund të kthehet përsëri.

XS
SM
MD
LG