Lidhje

Britanikët të shqetësuar për eksportin e armëve


Kohët e fundit u njoftua se Britania ka miratuar liçenca eksporti me vlerë prej miliarda dollarësh për shitjen e pajisjeve ushtarake në vende, që mund të konsiderohen shkelëse të të drejtave të njeriut. Në mesin e këtyre vendeve janë Siria, Irani dhe Kina.

Raporti i ligjvënësve britanikë vë në dukje se ekziston një “konflikt” mes eksporteve të armëve të Britanisë dhe politikave të saj për të drejtat e njeriut.

Zyra e Çështjeve të Jashtme ka një listë me 27 vende, ku qeveritë përbëjnë shqetësim rreth shkeljeve të të drejtave të njeriut. Vetëm dy prej këtyre vendeve, Sudani i Jugut dhe Koreja e Veriut, nuk kanë liçenca të vlefshme për eksportet e armëve. Raporti i së mërkurës i ligjvënësve britanikë u paraqit nga Komisioni për Kontrollin e Eksportit të armëve. Kryetari i tij, John Stanley, foli me BBC-në.

“Ne u habitëm si nga numri i liçencave, mbi 3000 liçenca të eksportit të armëve për vendet që qeveria britanike i ka përfshirë në listën e vendeve me shkelje të të drejtave të njeriut si dhe nga vlera e këtyre liçencave, më shumë se 18 miliardë dollarë”.

Numri më i madh i liçencave u miratua për eksportet në Kinë, Arabinë Saudite dhe në Izrael. Më shumë se 60 liçenca u dhanë për Iranin, megjithë shqetësimet e vazhdueshme ndërkombëtare lidhur me programin bërthamor iranian. Tre liçenca u dhanë për eksportet në Sirinë e përfshirë nga lufta civile.

Komisioni shprehu shqetësim të veçantë lidhur me një liçencë që ishte dhënë për eksportet në Izrael me vlerë prej më shumë se 10 miliardë dollarë, pra shumë më tepër se gjysma e shumës totale për të gjitha vendet. Liçenca u dha për eksportet e pajisjeve të kroptografisë.

Kryetari i komisionit tha se ligjvënësit do ta pyesin qeverinë lidhur me këtë liçencë, specifikisht nëse elementë të liçencës së Izraelit për këto pajisje mund të përdoren për shtypje brënda vendit.

Një zëdhënëse e Departamentit britanik të Biznesit, Novacionet dhe Aftësitë, tha se kroptografia është një mënyrë për të “parandaluar aksesin e paautorizuar tek statistikat". Ajo tha se shumica e liçencave u dhanë për kërkesa komerciale si blerjet dhe transaksionet bankare në Internet.

Por grupe të ndryshme thanë të mërkurën se raporti i komisionit hedh dritë mbi argumentin që ato kanë bërë për një kohë të gjatë, se Britania duhet të përforcojë politikat e eksportit të armëve. Drejtori i programit britanik të armëve për organizatën Amnesty International, Oliver Sprague foli me Zërin e Amerikës.

“Le të shikojmë se çfarë po ndodh në Egjipt dhe padyshim që mund të themi se sa të mëdha janë rreziqet nga dërgimi i armëve në atë vend. Ka shumë të ngjarë që forcat egjiptiane të sigurimit do t’i përdorin këto pajisje për të shtypur brutalisht popullsinë e vet”.

Egjipti nuk është në listën e 27 vendeve të qeverisë britanike me shkelje të të drejtave të njeriut. Grupe fushatash, mes tyre edhe Amnesty International, kanë qënë shumë kritike ndaj eksporteve britanike të armëve në Lindjen e Mesme gjatë viteve të fundit. Këto grupe thonë se armët e shitura nga Britania u përdorën nga qeveritë për të shtypur protestat popullore, si në Bahrein dhe Libi. Zoti Sprague thotë se ka ardhur koha që Britania të nxjerrë mësime nga gjakderdhjet e viteve të fundit.

“Ne nuk duhet t’i kishim shitur aq shumë armë regjimit të Kolonel Gaddafit sepse ekzistonte gjithnjë mundësia se nëse ai vend përfshihej nga trazirat ato armë do të përdoreshin kundër popullatës libiane, diçka që me të vërtetë ndodhi”.

Në reagimin e saj ndaj raportit, qeveria britanike tha se ka një prej programeve “më rigoroze” të kontrollit të eksportit të armëve. Ajo theksoi gjithashtu se liçencat nuk jepen kur ekziston rreziku se këto eksporte mund të përdoren për shtypjen e popullatës ose për acarimin e konfliktit.
XS
SM
MD
LG