Lidhje

Britania e hapur për përmirësimin e marrëdhënieve me Iranin

  • Margaret Besheer

Sekretari i Jashtëm i Britanisë tha se vendi i tij është i hapur për marrëdhënie më të mira me Iranin, dhe do të shqyrtojë mundësinë për ri-hapjen e ambasadës së Britanisë në Teheran.

Sekretari i Jashtëm britanik William Hague dje u takua me Ministrin e Jashtëm iranian Mohammed Javid Zarif gjatë takimit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ai u tha gazetarëve më pas se ata diskutuan një sërë çështjesh, duke përfshirë edhe konfliktin në Siri, programin bërthamor të Iranit, të drejtat e njeriut dhe marrëdhëniet midis vendeve të tyre.
Sekretari Hague tha se ai përshëndeti deklaratat e fundit të presidentit të ri të Iranit, Hassan Rouhani, se ai dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me vendet e tjera.

"Tani është koha e duhur që ato deklarata të shoqërohen me hapa konkrete nga Irani, për trajtimin e shqetësimeve të komunitetit ndërkombëtar në lidhje me synimet e Iranit. Dhe në qoftë se këto hapa ndërmerren, atëherë unë besoj se një marrëdhënie më konstruktive mund të krijohet mes nesh."

Sekretari Hague tha se ai diskutoi çështjen e ambasadës së Britanisë në Iran me Ministrin Zarif. Londra mbylli ambasadën e saj në Teheran pasi protestuesit e sulmuan atë në fund të vitit 2011.

"Sigurisht, në fund të fundit, ashtu siç e kam bërë të qartë në Parlament, për Britaninë ambasada në Teheran, do të duhet të jetë në gjendje të kryej të gjitha funksionet normale të një ambasade pa ngacmime dhe pa vështirësitë me të cilat ajo është përballur në të kaluarën. "

Në përgjigje të sulmit, qeveria britanike mbylli ambasadën e saj në Teheran dhe tërhoqi të gjithë diplomatët e saj. Londra tha se nuk mendon se sulmi mund të ketë ndodhur pa pëlqimin e autoriteteve iraniane.

Në lidhje me krizën në Siri, Sekretari Hague tha se Irani mund të luajë një rol konstruktiv në qoftë se mbështet kornizën e Gjenevës për bisedime politike mes palëve dhe nëse e ndalon mbështetjen e drejtpërdrejt për forcat e presidentit Bashar al-Asad.

Ai tha se Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të vazhdojë të punojë këtë javë për një rezolutë mbi zbatimin e premtimeve të Sirisë për shkatërrimin e arsenalit të armëve të saj kimike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG