Lidhje

Hejg: Britania po dërgon këshilltarë ushtarakë në Libi

  • Zëri Amerikës

Hejg: Britania po dërgon këshilltarë ushtarakë në Libi

Hejg: Britania po dërgon këshilltarë ushtarakë në Libi

Britania e Madhe po dërgon këshilltarë ushtarakë në Libi për të ndihmuar forcat e rrethuara kryengritëse. Ministri i Jashtëm britanik, Uilliam Hejg, tha në një deklaratë sot se një ekip këshilltarësh me përvojë do t’u ofrojnë ndihmë organizative, logjistike dhe komunikimi kryengritësve.

Zoti Hejg tha se këshilltarët nuk do të angazhohen në sulmet ushtarake kundër forcave pro-qeveritare libiane apo në furnizimin me armë. Sot avionët e NATO-s bombarduan disa objektiva pranë kryeqytetit të Libisë, Tripoli sot herët. Aleanca bëri të ditur se vuzi në shënjestër objektet e komandës dhe të kontrollit, si dhe infrastrukturën e komunikimit.

Ndërkaq, Kombet e Bashkuara kanë rënë dakord me zyrtarët libianë të lejojnë punonjësit e tyre të hyjnë të sigurtë në qytetin e rrethuar të Misratës, por pa marrë garanci nga Moamar Gadafi se forcat e tij do të ndalin bombardimin e kësaj enklave të kryengritësve.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë sot se zoti Gadafi ka rënë dakord të lejojë një ekip ndërkombëtar për vlerësimin e gjendjes të shkojë në Misrata, në kuadrin e një marrëveshjeje për misione humanitare në kryeqytetin e vendit, Tripoli, dhe qytete të tjera të Libisë.

“Qeveria e Libisë ka rënë dakord të ndihmojë praninë humanitare në Tripoli. Mes të tjerash, ata kanë rënë dakord të lejojnë futjen e pajisjeve të personelit ndërkombëtar dhe vetë punonjësve ndërkombëtarë”.

Sulmet nga forcat pro Gadafit vazhduan dje, ndërkohë që një anije tregtare evakuoi rreth një mijë pononjës të huaj dhe të plagosur libianë nga Misrata.

23 prej tyre janë të plagosur në luftë, përfshirë një fëmijë të goditur në fytyrë dhe një person me gjymtyrë të aksidentuara.

"Situata në Misrata është për momentin shumë e rëndë. Atje mungon çdo gjë, nuk ka ujë nuk ka energji elektrike. Ai do të na vrasë me çdo gjë të mundshme”.

Të paktën katër mijë shtetas të huaj, të bllokuar në portin e Misratës për disa javë, shumica nigerianë, ende shpresojnë të largohen. Misrata është i vetmi qytet i kontrolluar nga kryengritësit në perëndim të vendit dhe ndodhet nën rrethim për rreth dy muaj.

Britania e Madhe njoftoi të djelën se do të shpenzojë 2.4 milionë dollarë për misionin ndërkombëtar të evakuimit dhe për të dërguar ekipe mjeksore dhe furnizime.

XS
SM
MD
LG