Lidhje

Britania: Të nxjerrim mësim nga rasti i Greqisë, të shlyejmë borxhin


Koalicioni i ri qeveritar i Britanisë miratoi një projekt-buxhet emergjent pas paralajmërimeve se financat e vendit ishin shumë më keq se ç’ishte menduar. Shpenzimet publike do të pakësohen me 25 përqind, gjë që nënkupton shkurtime masive të vendeve të punës në sektorin shtetëror dhe kufizime të përfitimeve sociale. Kryeministri thotë se Britania duhet të nxjerrë mësim nga rasti i Greqisë dhe të fillojë të paguajë borxhet. Por kritikët paralajmërojnë se shkurtimet mund ta zhysin vendin përsëri në recesion.

Clapham Park rezultoi në një anketë si më e keqja qendër banimi në Londër. Ajo ndeshet me probleme të mëdha sociale si krimi, përdorimi i drogës dhe papunësia. Shumë nga banorët këtu mbahen me ndihma sociale.
Blloqet e banesave të lëna pasdore duhet të ishin rrëzuar dhe zëvendësuar me të reja, por nuk ka fonde.
Vernon de Maynard kryeson shoqatën e banorëve lokalë:

“Ku shkuan fondet? Duam të dimë kur do të kemi shtëpi për të qenë. Na kanë thënë se në 2016 apo edhe pas 2017, pra përsëri shtresa më e ulët preket”.

Vende të tilla do të goditen më rëndë nga shkurtimet në programet sociale. Por George Osborn, anëtari i kabinetit britanik që ka në përgjegjësi financat, akuzon administratën e mëparshme laburiste se e ka çuar vendin në prag të falimentimit. Në buxhetin emergjent ai ka parashikuar një reduktim prej 25 për qind të shpenzimeve qeveritare për 5 vjetët e ardhshëm. Plani i tij është pritur me protesta të ashpra. Dave Prentis është Sekretar i Përgjithshëm i Sindikatës Unision:

“80 për qind, 4 të pestat e barrës së këtij deficiti që kemi tani, të shkaktuar nga bankierët e problemet e tjera, do të bjerë në kurrizin e punonjësve të sektorit publik dhe të shërbimeve që ofrojnë ata”.

Qeveria britanike ka shpenzuar mbi 1 trilion dollarë për të shpëtuar bankat nga falimentimi gjatë krizës. Kjo ka ndikuar për ta çuar deficitin e Britanisë në mbi 11 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar, dhe një ndër më të lartët në Evropë.

Qeveria thotë se Britania, ashtu si Greqia dhe Spanja, është në rrezik të marrë notë negative në vlerësimin e kreditimit, nëse nuk shkurton shpenzimet për të balancuar buxhetin. Susan Anderson punon për Konfederatën e Biznesit Britanik, një shoqatë private që përfaqëson interesat e biznesit. Qeveria, thotë ajo, po vepron drejt me këto masa:

“Britania ndodhet në një periudhë shumë të vështirë financiare. Kemi një ndër deficitet më të thella të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Evropë. Mendoj se qeveria ka zgjedhur balancën e duhur të shkurtimit të shpenzimeve dhe disa rritje taksash”.

Duke qenë se ka ruajtur monedhën e saj, paundin, Britania ka arritur t’u shpëtojë problemeve të eurozonës. Por kjo zonë është partnerja më e madhe tregtare e Britanisë dhe problemet janë të pashmangshme.
Pedagogia e ekonomisë Wendy Carlin e Universitetit të Londrës thotë se ekziston rreziku se shkurtimet në pjesën tjetër të Evropës do ta vështirësojnë gjendjen në Britani:

“Do të jetë problem sikur të gjitha vendet e mëdha në Evropë të ulnin shpenzimet në të njëjtën kohë, pasi nuk do të ketë nga të burojë kërkesa për mallra e shërbime për të bërë të mundur rritjen ekonomike”.

Për biznesmenë si Michele Marconi, kërcënimi i një krize tjetër është shumë i frikshëm. Ajo ka një dyqan lulesh në Tregun Borough të Londrës. Malli i saj që konsiderohet artikull luksi është i pari që e ndjen rënien ekonomike. Kësaj i shtohet një rritje 20 për qind e taksës TVSH.

“Në këtë gjendje që jam nuk mund të bëj shumë. Klientët do të blejnë më pak lule, por nëse ruaj cilësinë, klientët besoj se do të kthehen”.

Ky optimizëm ndjehet edhe në publikun e gjerë. Një anketë e fundit tregoi se 59 për qind e britanikëve mbështesin shkurtimin e shpenzimeve. Duket se masazhi për rrezikun nga borxhet ka dhënë rezultat.

Por ndikimi i plotë i shkurtimeve do të ndjehet në vitet e ardhshme. Zor se Britania do t’u shpëtojë protestave të tilla në të ardhmen, ndërkohë që përjeton transformimin më të madh në disa breza.

XS
SM
MD
LG