Lidhje

Vjedhje diamantesh në aeroportin e Brukselit


Tetë persona të armatosur çanë një gardh sigurie në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit, hynë me makinë në pistë dhe vodhën një sasi diamantësh që kapnin shifrën 50 milionë dollarë nga një avion që kishte si destinacion Zvicrën, pa iu dashur të qëllonin asnjë plumb.

Një zëdhënës i aeroportit tha se hajdutët e hapën gardhin rrethues dhe shkuan me makinë deri tek avioni zvicerian i pasagjerëve, që ishte gati për t’u nisur.

“Ata ndaluan pranë aeroportit dhe të armatosur rëndë, kanë marrë një sasi mallrash nga avioni dhe më pas ikën me shpejtësi me makinë duke dalë nga i njëjti vend, nga ku hynë”, tha zëdhënësi i aeroportit të Brukselit Jan Van der Cruysse.

Policia gjeti një automjet të djegur pranë aeroportit në Zaventem të hënën në mbrëmje dhe tha se po vazhdon kërkimin e të dhënave.

Mendohet se diamantët e grabitur kapin shifrën 50 milionë dollarë, sipas Caroline De Wolf të Qendrës Botërore Antwerp për diamantët.

Fluturimi zvicerian për në Zurich u anullua. Swiss, një degë e Lufthansës gjermane nuk pranoi të komentonte për ngjarjen, duke përmendur si arsye hetimin në vazhdim.

Sigurimi për transportin ajror është zakonisht jo shumë i kushtueshëm sepse konsiderohet rruga më e sigurt për transportin e objekteve të vogla me vlerë të lartë, sipas ekspertëve.

Ndryshe nga një makinë ose kamion, një avion konsiderohet jashtë rrezikut pasi ngrihet nga toka, dhe shumë i sigurt para nisjes dhe pas arritjes, pasi avioni është gjithmonë brenda perimetrit të aeroporteve, që janë zakonisht nën masa sigurie të rrepta.
XS
SM
MD
LG