Lidhje

Përvjetori i sulmeve terroriste të Brukselit


Të mërkurën në Bruksel u zhvilluan ceremoni për të shënuar përvjetorin e sulmeve terroriste në qytet, ku humbën jetën 32 persona dhe plagosën më tepër se 300 të tjerë. Sulmet e Brukselit ndodhën vetëm disa muaj pas atyre të Parisit, ku u vranë 130 persona.

Shërbesat përkujtimore u mbajtën në mesin e një debati të ashpër lidhur me dështimin e sistemit të sigurisë, që i lejoi autorët e sulmeve të lëviznin lirisht brenda vendeve të BE-së.

Një raport i forcës së sigurisë së Komisionit Europian i publikuar në gazetën britanike “Guardian”, paralajmëron se shërbimi i sigurisë nuk është i aftë të kryejë kontrollet bazë, si shkëmbimin e të dhënave mes vendeve të ndryshme të BE-së dhe përdorimin e të dhënave biometrike, siç janë shenjat e gishtërinjve.

Raporti i sigurisë BE-së le të kuptohet se zyrtarët janë duke shqyrtuar forcimin e kontrolleve të policisë brenda zonës së Shengenit, ku shtetasit e vendeve anëtare të BE-së lëvizin pa pashaporta, por thuhet se këto masa kundërshtohen mbi baza politike.

Në Bruksel janë ekspozuar fotografi të marra nga Johan van der Steen. Ai ishte mes personave që u vranë në sulmin terrorist që goditi qytetin një vit më parë. Partnerja e tij e jetës, Kristin Verellen, organizoi një eskpozitë fotografish për nder të tij.

"Ky ka qenë një vit i vështirë. 22 marsi është vetëm një ditë e vitit, por për ne është e rëndësishme të jemi të aftë të ndalemi, për të reflektuar lidhur me ngjarjet e trishtueshme të jetës.”

Kristin Verellen krijoi një lëvizje qytetare të quajtur “Qarqet - ne kemi zgjedhje”, ku njerëzit e prekur nga dhuna mblidhen dhe flasin për historitë e tyre.”

"Grupet ‘Ne kemi zgjedhje’ filluan të mblidhen menjëherë pas tragjedisë, për të krijuar një ndjenjë kuptimplotë komuniteti, si një përgjigje pozitive ndaj dhunës së verbër dhe ndaj përçarjeve dhe polarizimit që shohim në shoqërinë tonë.”

Disa prej terroristëve jetonin në lagjen Molenbeek të Brukselit. Shumë prej 100,000 myslimanëve që jetojnë atje ndjejnë stigmën pas ngjarjes së vitit të kaluar. Disa prej tyre ishin vetë viktima. Mohamed El Bachiri është makinist metroje nga Molenbeek. E shoqja, Loubna, u vra kur terroristët kryen sulmin me bombë në trenin e metrosë me të cilin ajo udhëtonte, duke e lënë Mohamedin me tre fëmijët e vegjël.

Ai e ktheu dhimbjen në thirrje për dashuri, duke botuar një libër me poezi, të titulluar “Xhihadi i dashurisë”.

"Libri është një mesazh dashurie për njerëzimin, një thirrje për reflektim dhe ai lidhet me mua, për shkak të kësaj ngjarjeje të paimagjinueshme që më ndodhi mua. Libri është një lloj reagimi i imi për këtë ngjarje. Ne duhet t’i shprehim ndjenjat tona, ne kemi nevojë për dashuri dhe në të njëjtën kohë duhet të flasim nga pikëpamja njerëzore. Duhet të sillemi si njerëz të vërtetë,” – thotë ai.

Pikërisht këtu, në stacionin e metrosë të Maalbeek-ut, është vendi ku Verellen, së bashku me El Bachiri-n humbën njerëzit e tyre të dashur. Në vend të një minutë heshtjeje në kujtim të viktimave, ekipi i punonjësve të metrosë do ta shënojnë ngjarjen e një viti më parë me një minutë zhurmë, duke demonstruar solidaritetin e tyre kundër urrejtjes dhe terrorizmit.

XS
SM
MD
LG