Lidhje

Lidhjet e sulmuesit të Brukselit me Parisin


Zyrtarët e shërbimeve të zbulimit, thanë të mërkurën se prodhuesi 25 vjeçar i bombave të grupit Shteti Islamik, i përfshitë në sulmet e Parisit në nëntor të vitit të kaluar, ishte njëri nga sulmuesit vetëvrasës në aeroportin e Brukselit.

Autoritetet thanë se Najim Laachraoui, i lindur në Marok, por i rritur në Bruksel, ishte identifikuar si një nga pjesëmarrësit kryesor në sulmet e Parisit, pasi që ADN-ja e tij ishte gjetur në njërin nga jelekët e përdorur nga sulmuesit vetëvrasës. ADN-ja e tij u gjet po ashtu të martën në një apartament në Bruksel, ku autoritetet besojnë se janë prodhuar bombat.

Personi tjetër i identifikuar si sulmues vetëvrasës në Bruksel, ishte arrestuar në Turqi dhe ishte deportuar, por ishte liruar nga autoritetet evropiane tetë muaj më parë, tha të mërkurën presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.

Ai tha se qeveria e tij ka paralajmëruar autoritetet belge për Ibrahim el-Bakraouin, i cili ishte ndaluar në Turqinë jugore afër vendkalimit kufitar me Sirinë, Gaziantep. Presidenti turk tha se el-Bakraoui ishte deportuar në korrik të vitit të kaluar ndërsa ishte liruar "me gjithë paralajmërimet tona se ai person është luftëtar terrorist".

Erdogan tha se ata që e mbanin el-Bakraouin pas deportimit, "nuk kishin arritur të gjejnë lidhje me terrorizmin" she e kishin liruar 29 vjeçarin me shtetësi belge.

Autoritetet në Bruksel, ku viktimat e sulmeve u nderuan me një minutë heshtje të mërkurën, konfirmuan se el-Bakraoui hodhi vetën në erë në aeroportin kryesor të qytetit. I vëllai i tij, Khalidi, 27 vjeç, hodhi veten në erë në metronë e qytetit. Ata u identifikuan në bazë të gjurmëve të gishtërinjve.

Personi i katërt që shihet në një video në aeroport me dy sulmuesit e tjerë, është në arrati.

Ekstremistët e grupit Shteti Islami morën përsipër përgjegjësinë për sulmet që lanë pas vetes 31 të vrarë dhe 271 të plagosur.

Me konfirmimin se prodhuesi i bombave të Parisit, Laachraoui, morri pjesë në sulmet në Bruksel, autoritetet po shtojnë dëshmitë për lidhjet ndërmjet të dyja operacioneve.

Të dy vëllezërit El Bakraoui ishin të njohur për policinë për veprime kriminale, por nuk kishin histori të veprimtarive terroriste. Mediet belge thanë se Khalid el-Bakraoui kishte përdorur një emër të rremë për të marrë me qira një apartament në Bruksel i cili ishte bastisur javën e kaluar dhe me atë rast ishin gjetur armë dhe shenjat e gishtërinjve të Salah Abdeslam, të dyshuarit kryesor për sulmet e 13 nëntorit të vitit të kaluar në Paris. Abdeslam u arrestua të premten.

Autoritetet besojnë se sulmet në Paris, të paktën pjesërisht ishin planifikuar në Belgjikë.

"Franca dhe Belgjika janë të bashkuara më shumë se kurrë në trishtimin dhe vendosmërinë e tyre", tha kryeministri belg, Charles Michel, para gazetarëve përkrah kryeministrit francez, Manuel Valls.

Të dyja vendet janë gjithashtu të shqetësuara për rritjen e numrit të të rinjve të kthyer militantë islamik. Ndërsa disa janë konvertuar, shumë të tjerë janë emigrantë të pakënaqur të brezit të dytë nga veriu i Afrikës dhe Afrika nën sahariane.

Gjatë përkujtimit dhe nderimit të viktimave në Bruksel të mërkurën, sheshi la Bourse, ishte mbushur me njerëz që ishin mbledhur me gjithë të ftohtin pranveror dhe qiellin e errët. Sheshi është shndërruar në vend të nderimit ku janë hedhur lule dhe ndezur qirinj për të përkujtuar viktimat.

Pjesa më e madhe e qytetit mbetet e bllokuar. Aeroporti është i mbyllur të paktën deri të premten dhe në një deklaratë thuhet se "hetimet mjeko-ligjore janë duke u zhvilluar".

"Derisa të vlerësohen dëmet, nuk jemi në gjendje të konfirmojmë se kur do të rifillojë puna në aeroport", thanë autoritetet.

Alarmi nga kërcënimet terroriste është në shkallën më të lartë. Autoritetet gjithandej Evropës kanë shtuar masat e sigurisë në aeroporte dhe hapësira tjera publike, ndërsa ndeshja miqësore e futbollit e caktuar për javën tjetër ndërmjet Belgjikës dhe Portugalisë, është zhvendosur në qytetin portugez Leiria, si masë parandaluese.

Presidenti amerikan, Barack Obama, që ndodhet për një vizitë në Argjentinë, shprehu "pikëllimin e jashtëzakonshëm" për ngjarjet në Belgjike, duke nënvizuar se Shtetet e Bashkuara i kanë ndjerë po ashtu "fshikullimat e terrorizmit".

"Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të ofrojnë çdo ndihmë për të hetuar këto sulme dhe për të vënë autorët ara drejtësisë", tha presidenti Obama në një konferencë të përbashkët me gazetarë me presidentin e Argjentinës, Mauricio Macri. "Ne do të vazhdojmë të ndjekim ISIL-in derisa ta largojmë nga Siria e Iraku dhe ta shkatërrojmë".

Departamenti amerikan i shtetit tha të mërkurën se një duzinë qytetarësh amerikanë janë plagosur në sulmet e së martës në Bruksel.

XS
SM
MD
LG