Lidhje

Konservatorët për shkurtimet buxhetore


Për konservatorët në Kongres shkurtimet buxhetore janë një fitore

Në Uashington po afrohet me shpejtësi kufiri kohor për presidenti Obama dhe republikanët në Kongres të mund të mënjanojnë 85 miliard dollarë shkurtime automatike buxhetore për të pakësuar defiçitin. Disa konservatorë në Kongres e shohin zbatimin e shkurtimeve buxhetore si një fitore.

President Obama iu kthye stilit të fushatave gjatë fjalimit në Virxhinia, duke paralajmëruar rreziqet e shkurtimeve buxhetore.

“Këto shkurtime janë të gabuara. Ato nuk janë të llogjikshme dhe të drejta. Po i bëjmë vetë dëm vendit dhe prandaj nuk duhet të ndodhin”.

Ndërsa presidenti është i vendosur të gjejë mënyra për të mënjanuar shkurtimet, ligjvenës si Marsha Blackburn nga shteti Tennessee janë po aq të vendosur të shohin zbatimin e tyre:

“Duhet të mbajmë frenat dhe jemi të vendosur ta bëjmë këtë. Ne e kuptojmë ashpërshinë e këtyre shkurtimeve por ato nuk mund të shtyhen më tej. Shkurtimet e shpenzimeve do të ndodhin. ”

Ligjvenësja Blackburn është figura tipike e shumicës së republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, që me mbështetjen e elementëve të lëvizjes Tea Party është e vendosur të pakësojë buxhetin e qeverisë federale.

“Është inkurajuese për mua të shoh kaq shumë kolegë dhe gjithashtu popullin amerikan që e ka kuptuar se qeveria federale është shumë e madhe dhe kontrollon jetët tona”.


Demokratët në Kongres thonë se përqasja e republikanëve për shkurtimet buxhetore është pengesë për të arritur marrëveshje dhe do të dëmtojë ekonominë.

Në mes tyre është edhe udhëheqësja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

“Ata thjesht bëjnë zhurmë. Thonë diçka që mund të tingëllojë bukur për konsumin e brendshëm në vend. Por ata nuk kanë ardhur këtu për të bërë ligjin. Ata nuk janë këtu për të zgjidhur probleme pasi drejtuesit e tyre janë të dominuar nga ideologji anti-qeveritare.”

Anketat tregojnë se publiku do të fajësojë republikanët në se shkurtimet buxhetore do të jenë shumë të ashpra. Por shumë republikanë janë më të shqetësuar nga reagimi i konservatorëve në se tërhiqen nga shkurtimet buxhetore, thotë analisti Norm Ornstein.

“Në se je në Dhomën e Përfaqësuesve mund të kesh një lloj shqetësimi se mund të ketë një reagim të madh. Por rreziku më i madh i këtyre anëtarëve është reagimi nga konservatorët në gjirin e tyre dhe jo nga pakënaqësia e publikut të gjerë për drejtimin ku po shkojnë.”

Por të tjerë që besojnë se faji është i të dyja palëve, përfshi analistin republikan Scot Faulkner.

“Sepse të gjithë janë të zhytur në paragjikimet e tyre. Ata nuk janë të gatshëm të shohin përtej këtyre pozitave të tyre dhe vërtet të qeverisin. Janë në stil fushate të përhershme dhe kjo do të thotë se nuk mund të qeverisin.”

Të dyja palët tani presin reagimin e publikut ndërsa shkurtimet buxhetore dalngadalë hynë në fuqi.
XS
SM
MD
LG