Lidhje

Budizmi amerikan, nuancat aziatike dhe adaptimi perëndimor


Budizmi amerikan, nuancat aziatike dhe adaptimi perëndimor
Budizmi amerikan, nuancat aziatike dhe adaptimi perëndimor

Vizita e Dalai Lamës këtë javë në Shtetet e Bashkuara e ka përqendruar vëmendjen tek budizmi amerikan, i cili duket në rritje për shkak të fluksit të madh të imigrantëve aziatikë dhe konvertimit të perëndimorëve në këtë fe. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Majk O’Salivan njofton nga Los Anxhelosi se budizmi amerikan vazhdon t’i ketë nuancat aziatike pavarësisht se po adaptohet me mënyrat perëndimore.

Djemtë nga mosha pesë deri në 14 vjeç i kanë kokat e qethura para fillimit të një pushimi pesë-ditor. Këtu ata marrin njohuritë e para mbi mësimet budiste dhe njihen me jetën e një murgu budist. Në Tempullin Hsi Lai në Los Anxhelos, janë mbledhur kryesisht kinezo-amerikanë, megjithatë fëmijët i marrin mësimet në anglisht.

Drejtori i qendrës, Miao Hsi, i lindur në Hong Kong, shpjegon se budizmi amerikan është i ndarë sipas vijave etnike.

“Ka budizëm kinez, tibetian, japonez etj. Tani kemi edhe një formë budizmi amerikan gjithashtu.”

Një prift i lindur në Shtetet e Bashkuara në Qendrën Ndërkombëtare Budiste të Meditimit në Los Anxhelos, Kusala Bikshu, thotë se budizmi ka një histori të gjatë në Shtetet e Bashkuara.

“Budizmi ka mbjellë rrënjët e veta në tokën amerikane, prandaj ka njerëz si unë që jam lindur në Ajova, të konvertuar në budizëm, dhe disa prej nesh janë bërë murgj apo murgesha budiste që u sjellin mësimet e kësaj feje amerikanëve në jetën e përditshme.”

Dalai Lama mund të jetë budisti më i njohur në botë, dhe ai gëzon respekt mes amerikanëve. Ai ka disa pasues të njohur si aktori Riçard Giër. Mesazhi i tij i dhembshurisë ka tërhequr edhe amerikanë të tjerë.

Në Shtetet e Bashkuara ka edhe mjedise të tjera budiste tibetiane. Kjo qendër meditimi ndodhet jashtë qytetit Reding në Kaliforninë veriore. Kusala Bikshu thotë se qendra e tij e Los Anxhelosit mbledh disa shkolla budiste së bashku. Ai ka studiuar traditën vietnameze me një mësues nga Sri Lanka. Qendra e tij është themeluar nga një murg vietnamez dhe ndodhet në një lagje koreano-amerikane.

Ai vë në dukje se mësimet e pasura të budizmit ndryshojnë nga një traditë në tjetrën. Këtu në Tempullin Hsi Lai, pavarësisht diversitetit, thelbi i mësimeve është i njëjtë: respekt për traditën, dëshira për t’u adaptuar në kushtet amerikane, dhe arritja e një harmonie mes njerëzve të të gjitha feve.

“Të gjithë qeniet njerëzore janë të lidhura me njëra tjetrën. Ne jemi të lidhur me botën. Prandaj duhet të punojmë për një harmoni të përbashkët. Harmonia dhe paqja duhet të jenë në qendër të punës sonë.”

Budistët thonë se degët e ndryshme të budizmit amerikan lidhen përmes një ure. Janë fëmijët e lindur në Shtetet e Bashkuara të cilët kanë fenë budiste dhe kulturën amerikane, pavarësisht se ku u janë lindur prindërit.

XS
SM
MD
LG