Lidhje

Artistët shqiptarë dënuan sulmin ndaj shtypit në Paris


Bujar Kapexhi albanian painter

Bujar Kapexhi albanian painter

Krahas gazetarëve, edhe artistë të njohur shqiptarë shprehën indinjatën e tyre për sulmin ndaj revistës Charlie Hebdo dhe vrasjen e kolegëve të tyre. Regjisori dhe piktori i mirënjohur shqiptar Bujar Kapexhiu thotë se sulmi kundër kolegëve francezë i solli një zemërim të veçantë dhe dhimbje të madhe.

Artistët nuk mendojnë se vërtet disa karikatura janë shkaku i vërtetë i masakrës ndaj piktorëve. Zoti Kapexhiu thotë se ato janë një pretekst për shkaqe dhe synime të tjera.

Ai thotë se piktorët dhe gazetarët përpiqen që të zbulojnë dhe të thonë të vërtetën. Zoti Kapexhiu theksoi se në qendër të punës së tyre është humanizmi, ndaj njerëzit që përpiqen të ndriçojnë jetën e shoqërisë nuk i meritojnë goditje të tilla të dhunshme.

Karikatura është një art i braktisur në Shqipëri; nga mbi 40 piktorë që punonin para vitit 1990, aktualisht karikatura punojnë vetëm 2-3 autorë. Shumë prej autorëve emigruan për një jetë më të mirë, ndërsa pjesa tjetër e lanë mënjanë, sepse në Shqipëri - thotë zoti Kapexhiu artistët nuk paguhen dhe nuk mund të jetosh me karikatura. Madje shumë prej tyre kanë patur edhe kërcënime nga politikanët.

Vrasja e gazetarëve dhe karikaturistëve në Paris i tronditi qarqet gazetareske shqiptare. Ata vendosën qirinj dhe tufa me lule dhe lanë mesazhe solidariteti pranë ambasadës franceze, duke e vlerësuar sulmin kundër revistës Sharli Hebdo si një goditje të rëndë ndaj fjalës dhe mendimit të lirë.

XS
SM
MD
LG