Lidhje

Nishani, Naço komente të ndryshme mbi reformat


Ministri Naço shprehu një seri kritikash ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili, sipas tij, nuk reagon ndaj kërkesave të ministrisë së drejtësisë për reforma të përbashkëta.

Në Tiranë u zhvillua sot Konferenca Gjyqësore Kombëtare, ku u shqyrtua gjendja e sistemit të drejtësisë, nevoja për reforma dhe ecuria e tyre. Gjatë konferencës ranë në sy mospërputhja e pikëpamjeve mes Presidentit Bujar Nishani dhe ministrit të drejtësisë, Nasip Naço për rrugën e reformave në sistemin gjyqësor. Presidenti Nishani nxiti prokurorinë të hetojë në thellësi dhe të dënojë korrupsionin në gjykata. Por ai tha se reformën në sistemin gjyqësor mund ta bëjë më mirë vetë komuniteti i drejtësisë me institucionet e veta, dhe jo politika.

Ndërsa ministri i drejtësisë Nasip Naço shprehu një seri kritikash ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili, sipas tij, nuk reagon ndaj kërkesave të ministrisë së drejtësisë për reforma të përbashkëta. Ai tha se klima e mosbesimit ndaj sistemit të drejtësisë mund të ndryshohet me vullnet përpjekje të përbashkëta. Ministri Naço tha se reformat e propozuara nuk synojnë asnjë lloj cënimi apo ndërhyrje në pavarësinë e gjyqësorit, por vetem konsolidimin dhe rritjen e tij.

Nga ana tjetër, presidenti Nishani, deklaroi se rruga më e mirë për të goditur korrupsionin në sistemin gjyqësor është rritja e profesionalizmit dhe e transparencës. Ai tha se gjatë vitit të fundit janë përjashtuar nga sistemi gjyqësor dhe janë ndjekur penalisht 4 gjyqtarë. Zoti Nishani tha se i ka kërkuar prokurorit të përgjithshëm që të hetojë në thellësi në bashkëpunim me institucione të tjera ligjzbatuese korrupsionin në drejtësi, por, sipas tij, “disa gjyqtarë të korruptuar nuk mund të njollosin të gjithë sistemin”.

Por ministri Naço renditi në fjalën e tij se i ka kërkuar K.L.D.-së zgjidhjen e situatës me kryetarë gjykatash pa mandat prej vitesh, ka kërkuar prej muajsh të mbyllen emërimet në gjykatat administrative dhe të caktohet numri i gjyqtarëve në to, të marrë fund mosemërimi prej dy vitesh i studentëve të magjistraturës. Ministria e drejtësisë ka bërë një projektligj për sistemin e vlerësimit të gjyqtarëve mbi një listë të renditjes së tyre. Sipas tij, duhet shmangur edhe konflikti i interesit të anëtarëve të K.L.D.-së, ndërkohë që ministria e drejtësisë i ka kërkuar Komisionit të Venecias ekspertizë për reformimin e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për të vlerësuar realisht punën e gjyqtarëve dhe aftësitë e tyre profesionale. Por, faktorë kyç në sistemin e drejtësisë, tha ministri Naço, janë mbështetja e gjyqtarëve të ndershëm, rritja e pavarësisë, profesionalizmit dhe integritetit të tyre.

Mbledhjen e fundit në KLD u morën disa masa disiplinore ndaj gjyqtarve me propozim të ministrit të drejtësisë. Gjykata e Lartë po nxjerr disa vendime unifikuese, sepse ato zvogëlojnë mundësinë e subjektivizmit të gjyqtarëve të tjerë. Zoti Nishani tha se reformat në sistemin gjyqësor janë të domosdoshme, por ato nuk mund të udhëhiqen nga politika. “Komuniteti i gjyqtarëve i ka të gjitha mundësitë dhe instrumentat ta bëjë vetë reformën, me mbështetjen dhe modelet nga SHBA, BE, OSBE, Këshilli i Europës” - tha ai.

Në konferencën gjyqësore kombëtare u kërkuan përmirësimi i kushteve të punës në gjykata, për shkak të mbingarkesës së proceseve gjyqësore. Publiku shqiptar ka një perceptim tejet negativ për korrupsionin në sistemin gjyqësor. Organizata Transparency International thotë se në perceptimin e qytetarëve gjykatat zënë vendet e para të institucioneve të korruptuara krahas mjekësisë dhe doganave.

XS
SM
MD
LG