Lidhje

Presidenti Nishani dekreton kryeministrin Edi Rama


Presidenti Nishani po i kryen shpejt emërimet dhe shqyrtimin e dekreteve, ndërsa kaluan dy muaj qysh kur PS dhe LSI fituan zgjedhjet.

Institucionet e reja të shtetit shqiptar të dala nga zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit po konstituohen me shpejtësi në Tiranë. Pas dy muaj nga shpallja e fituesve në zgjedhje presidenca dhe parlamenti po mbyllin brenda dy ditësh të gjitha procedurat e emërimit të drejtuesve të rinj në institucione të larta shtetërore.

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, dekretoi sot kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, si kryeministër dhe e ngarkoi me formimin e qeverisë së re me ministra nga koalicioni fitues i zgjedhjeve “Aleanca për Shqipërinë Europiane”.


Ashtu si ishte angazhuar publikisht, presidenti Nishani po i kryen shpejt emërimet dhe shqyrtimin e dekreteve. Emërimin e zotit Rama ai e bëri sot paradite, ndërsa vetëm dje në mbrëmje mori propozimin e partive të koalicionit menjëherë pas mbledhjes themeluese të parlamentit të ri. Ndërsa sot bëhet e ditur se ai ka marrë edhe emrat e propozuar për ministra nga kryeministri i ri.

Menjëherë pas emërimit të kryeministrit nga presidenti, deputetët e rinj bënë betimin sipas Kushtetutës dhe ata me 91 nga 137 vota zgjodhën kryetar parlamenti Ilir Metën, kryetarin e LSI-së, partisë së dytë të koalicionit qeveritar. Ai mori më shumë vota nga sa ka shumica, pra edhe 8 vota nga koalicioni opozitar, ndërsa politikanë të partive të vogla rreth PD-së deklaruan se votuan kundër, duke lënë të kuptohet se ato vota mund të kishin rrjedhur nga demokratët. Zoti Meta tha në fjalën e tij të përurimit se parlamenti i ri do të punojë për zhvillimin e vendit dhe integrimin europian. Ai po ashtu u angazhua që të respektojë të drejtat e opozitës në jetën parlamentare.

Por vetëm pak minuta më pas opozita demokrate vuri në pikëpyetje transparencën e shumicës së re. Kryetari i parlamentit dhe kryetarët e grupeve parlamentare nuk ranë dakord nëse kryeministri Rama mund ta paraqesë programin e qeverisë së tij në seancën e nesërme. Partia Demokratike kërkoi kohë që të njihej me programin qeverisës, duke e vlerësuar si një dokument shumë të rëndësishëm, i cili duhej studiuar me kujdes, në mënyrë që të merrte pjesë në diskutimin e tij parlamentar. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha pas mbledhjes së grupit parlamentar se socialistët rikthyen metodat e tyre të vjetra të punës, duke shkelur të drejtat e opozitës, vetëm pak minuta pasi premtuan publikisht nga tribuna e parlamentit se do t'i respektonin ato.

Mospajtimi me kalendarin e seancës së nesërme parlamentare dhe disa vota që kaluan nga opozita demokrate pro kryetarit socialist të parlamentit ishin dy surprizat e para të sesionit të ri parlamentar, i cili pritet të ketë edhe plot surpriza të tjera, nisur nga angazhimet e opozitës se do të votojë pro ligjeve për integrimin dhe zhvillimin e vendit dhe se do të vëzhgojë me kujdes përmbushjen e premtimeve të qeverisë së majtë.

XS
SM
MD
LG