Lidhje

Presidenti Nishani: Greva e urisë është politike


"Qysh ditët e para unë konstatova ngarkesa shumë të mëdha politike. Presidenti duhet të qëndrojë larg akuzave politike” - tha zoti Nishani.

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, deklaroi në Tiranë se greva e urisë e ish të burgosurve politikë ka nota të theksuara politike, ndaj ai nuk mund të bënte ndonjë rol ndërmjetësi mes tyre dhe qeverisë. Gjatë një interviste në televizionin News 24, presidenti Nishani tha në mbrëmje se të përndjekurit politikë kanë dhënë ndihmesë të madhe për demokracinë dhe ndryshimet në Shqipëri.

“Natyrisht nuk do të kisha asnjë rezervë të kontaktoja me ta, por fatkeqësisht qysh ditët e para unë kam konstatuar ngarkesa shumë të mëdha politike. Dhe natyrisht presidenti duhet të qëndrojë jashtë dhe larg akuzave, deklaratave dhe qëndrimeve politike” - tha ai.

Presidenti Nishani tha se kurajo që ata kanë treguar duke kundërshtuar regjimin komunist është bazuar në parime të mëdha të lirisë dhe të drejtave njerëzore.

“Ata asnjëherë nuk kanë menduar se kundërshtimi i regjimit do t’u sillte përfitime ekonomike, për të cilat shteti shqiptar po bën përpjekje për t’i shpërndarë. Shteti shqiptar e ka marrë përsipër një përgjegjësi të tillë dhe ka bërë hapin më të mirë të mundshëm, ka bërë gjënë më të mirë të mundshme që kjo shtresë të ndihmohet sa më shumë që të jetë e mundur në rehabilitimin e saj” - tha zoti Nishani.

Presidenti shqiptar tha se liria e fjalës i garantohet kujtdo sot në Shqipëri. Sipas tij, greva e urisë ka nota politike, megjithatë dialogu nuk është i tepërt.

“Asnjëherë nuk mendoj që dialogu është i tepërt. Përkundrazi i takoj asaj filozofie që dialogu gjithmonë është i nevojshëm. Por natyrisht unë, edhe një herë e them në mënyrë shumë të qartë këtë, për sa kohë është përdorur dhe janë lëshuar deklarata shumë të ashpra politike nuk mund të marr pjesë. Megjithatë kurrë nuk mund të thuhet që dialogu është i tepërt”- tha zoti Nishani.

Zoti Nishani tha se grevistët kanë bërë deklarata shumë të ashpra politike, ndaj detyra e tij, e kërkon që të qëndrojë larg veprimtarive të tilla.

“Mendoj që format ekstreme si greva e urisë, të cilat në parimet universale ndërtohen dhe realizohen në kushtet e mungesës së lirisë, besoj që nuk janë të gjetura për të kërkuar një kompensim financiar, sado i madh apo i vogël që të jetë ky kompensim” - tha zoti Nishani.

Greva e urisë së 25 ish të përndjekurve politikë hyri në ditën e 19, ndërsa gjendja shëndetësore e tyre po rëndohet, ndonëse aty janë pranë një ndihme të plotë shëndetësosre. Akti i vetëflijimit të kryetarit të grevës Gjergj Ndreca, duke u përfshirë nga flakët e rriti vëmendjen e mediave dhe opinionit publik ndaj vështirësive të kësaj shtrese.

Grevistët thonë se kërkesat e tyre janë thjesht ekonomike, ndërsa ministria e financave deklaroi se po zbaton ligjin e dëmshpërblimeve, që u jep atyre shuma të konsiderueshme, me këste dhe afate të programuara. Diplomatët perëndimorë po u bëjnë thirrje palëve për dialog dhe mirëkuptim. Ndërkaq policia po mban në paraburgim njërin nga grevistët që dyshohet se ndezi zjarrin mbi trupin e Ndrecës, të cilin ai vetë e leu më parë me lëndë djegëse.
XS
SM
MD
LG