Lidhje

Bujar Nishani zgjidhet President i Shqipërisë


Në Shqipëri ministri i Brendshëm Bujar Nishani është zgjedhur presidenti i ardhshëm i vendit. Parlamenti me 73 votat e shumicës në pushtet mbështeti në raundin e katërt kandidaturën e tij e cila u propozua pas tërheqjes nga gara në momentet e fundit të zotit Artan Hoxha, kandidati zyrtar i shpallur nga shumica të dielën në mbrëmje. Emri i zotit Nishani u kundërshtua prerë nga opozita e cila nuk mori pjesë në votim dhe që gjatë gjithë procesit kishte këmbëngulur për një president që të kishte mbështetjen e të gjithë krahëve të politikës.

I ulur në radhën parë të poltronave të krahut të djathtë të sallës së parlamentit, ministri i Brendshëm Bujar Nishani u ngrit menjëherë në këmbë kur kolegët e tij të shumicës brohoritën sapo u numërua edhe vota e 71-të në favor të tij. Ai mori përshëndetjet e drejtuesve më të lartë të koalicionit qevrisës, kryeministrit Sali Berisha, kryetares së parlamentit Jozefina Topalli dhe drejtuesve të partive aleate, në përfundim të një procesi të gjatë dhe të një dite të trazuar plot me të papritura të pakëndshme për shumicën. Në harkun e tre ditëve, dy kandidatët e propozuar praj saj, në fillim anëtari i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori, dhe më pas, dje kandidati zyrtar Artan Hoxha, hoqën drë papritur nga gara. Tërheqja e zotit Hoxha madje pati një peshë shumë më të rëndë pasi ajo ndodhi vetëm pak minuta përpara se të niste votimi për të.
Pas pështjellimit të momenteve të para kryeministri mblodhi aleatët e tij. Më pas ai dhe kryetari i Lëvizjes socialiste për Integrim Ilir Meta patën edhe një takim me ambasadorin amerikan Alexander Arvizu, i cili në ndryshim nga homologët e tij perëndimor nuk u shfaq në sallën e parlamentit për të ndjekur seancën. Nën trysninë e kohës së kufizuar në dispozicion dhe me nxitimin për të mbyllur sa më shpejt të carën e krijuar, shumica njoftoi kandidaturën e zoti Nishani. Pasdite, pas kryerjes së procedurave, të cilat nxitën kundërshtime të opozitës, shumica zgjodhi presidentin e ri. Në fund të një procesi të gjatë, kryeministri Berisha jo vetëm që ja doli të zgjidhte presidentin e ri duke dëshmuar qëndrueshmërinë e shumicës së udhëhequr prej tij, por coi në postin më të lartë të shtetit, atë që kish deklaruar me këmbëngulje që prej disa muajsh, një eksponent të partisë së tij.
Zoti Berisha edhe një herë tjetër duket se fitoi përballë kundërshtarit të tij zotit Rama. Për gati tre javë ai drejtoi një proces duke deklaruar se po ishte në kërkim të konsensusit me opozitën. Por palët asnjëherë nuk iu afruan realisht një marrëveshjeje. Për kryetarin socialist kjo që ndodhi do të ketë sipas tij pasoja në procesin e integrimit. Kjo është pjesa që mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme. Edhe sepse me Brukselin, i cili i kishte mëshuar variantit të një presidenti që të përfaqësonte unitetin e popullit, kanë mbetur ende të hapura llogari të tjera, për realizimin e disa reformave të konsideruara kyce, ku më kryesorja është ajo zgjedhore. Klima që ka krijuar mes palëve zgjedhja e zotit Nishani, nuk është e favorshme për një progres të shpejtë. E nëse përmbyllja e reformave vonohet atëherë, mënyra se si përfundoi procesi i zgjedhjes së presidentit rrezikon të rëndojë më shumë. Nëse momenti i tanishëm do të tejkalohet brenda një periudhe të shkurtër, pa u kthyer në një pengesë të mëtejshme, atëherë edhe kjo do të jetë një cështje që do të arkivohet pa lënë gjurmë të veçantë.


Trego komentet

XS
SM
MD
LG