Lidhje

Presidenti Nishani kërkoi profesionalizëm nga hetuesit


Zoti Nishani tha se bashkëpunimi mes institucioneve është i domosdoshëm dhe kërkon profesionalizëm, integritet, kurajo dhe pavarësi

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani u bëri sot thirrje drejtuesve të lartë të prokurorisë dhe drejtuesve hetimorë, që të luftojnë në bashkëpunim krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimin ekonomik në veçanti, sepse, sipas tij, ato janë një sfidë e përhershme të drejtësisë.

Presidenti Nishani i bëri këto komente në një takim me Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, si dhe drejtues të prokurorisë së krimeve të rënda, prokurorisë së Tiranës, Task-Forcës hetimore dhe prokurorë të tjerë. Zoti Nishani tha se “bashkëpunimi mes institucioneve është i domosdoshëm dhe kërkon profesionalizëm, integritet, kurajo, pavarësi”.

Presidenti Nishani kërkoi që prokuroria të nisë hetime me nismën e saj për çdo sinjal për krim që vjen nga shoqëria, nga denoncimet e medias, nga institucionet dhe nga çfarëdo burimi. “Pavarësia e prokurorëve vjen nga profesionalizmi i tyre”, - tha ai. Zoti Nishani tha se “çdo prokuror i thjeshtë dhe çdo institucion hetimor do të ketë tek presidenti i Republikës mbështetjen më të fortë për të bërë drejtësi dhe për të përmirësuar kështu jetën e qytetarëve”.

Prej disa javësh institucioni i akuzës ka në krye një prokuror të ri të përgjithshëm, i cili së bashku me presidentin, KLD, ministrinë e drejtësisë po bashkëpunojnë për t’i dhënë një shtytje të fortë ndriçimit të akteve kriminale në Shqipëri, si dhe goditje të reja korrupsionit, pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, për të fituar me prova të pakundërshtueshme gjyqet kundër tyre në gjykatat e vendit.
XS
SM
MD
LG