Lidhje

Bujqësia shqiptare shton bashkëpunimin


Bujqit shqiptarë kanë nisur vitin e fundit të bashkohen në disa shoqëri bujqësore të tipit kapitalist dhe kanë filluar të marrin fitimet e para. Një nga nismat e para ishte Shoqëria e Bashkëpunimit Bujqësor në Maminas dhe më pas u ngritën 18 shoqëri të tjera në të gjithë vendin. Ato pritet të sjellin një zhvillim më të mirë ekonomiko social në zonat e tyre. Kjo është sfida e tyre për të ardhmen e afërt, ndërsa tani për tani kanë shumë nevojë për financime. Një nga projektet e para për organizimin e këtyre shoqërive në fshat e zbatoi Shoqata Shqiptaro-Amerikane për Tregti dhe Zhvillim (AATDA-AL) me financim të Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Specialistët e kësaj fushe mendojnë se në kushtet aktuale të bujqësisë, krijimi i këtyre kooperativave të shërbimit bujqësor janë rruga më e mirë për fermerët shqiptarë. Të ndarë e të vetmuar si janë, ata nuk mund të prodhojnë sasi të mjaftueshme për tregun vendas dhe të konkurrojnë me cilësi mallrat e eksportit. Pa kredi dhe financime ata nuk futin dot teknologji të reja në shërbimet bujqësore. Prodhimet shqiptare dalin me kosto të të lartë dhe çmimi i tyre nuk konkurron dot në tregun shqiptar, dhe as në eksport.

Qeveritë shqiptare kanë hartuar herë pas here programe në ndihmë të bujqësisë, por këto ndihma në formë grantesh kanë qenë të pamjaftueshme që fermerët e veçuar të bëhen konkurentë në tregun e sotëm. Pengesa kryesore janë ngastrat e tokës së fermerëve me sipërfaqe shumë të vogla, të copëzuara dhe larg njëra tjetrës.

Ekspertët theksojnë se kjo dekadë është shpallur dekada mbarëbotërore e kooperativave. Ata vlerësojnë se modeli i kooperativave kapitaliste kudo në botë është i suksesshëm dhe po luan rol të madh për zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko social, ndaj dhe kjo përvojë mund të sillet në Shqipëri.

Shoqëria shqiptare ka kujtime të hidhura nga kooperativat e regjimit komunist, me shpronësime të dhunshme, dhe punë skllavëruese. Prandaj edhe nuk ka marrë informacione të mjaftueshëm për modelin kapitalist të kooperativave. Megjithatë pak nga pak ky model i ri me bashkëpunim të lirë të bujqëve po përphaet në të gjithë vendit, me 19 shoqëritë e para të bashkëpunimit bujqësor. Qeveria e ka rritur fondin e financimit, ndërkohë që financime jo të vogla priten edhe nga Bashkimi Europian, i cili mbështet cilësinë dhe bashkimin e njerëzve në fushën bujqësore.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG