Lidhje

Bullgari, Rumen Radev zgjidhet presidenti i ri


Në Bullgari, kandidati i Partisë Socialiste, Rumen Radev fitoi zgjedhjet presidenciale, gjë që çoi në dorëheqjen e kryeministrit të vendit. Analistët kanë spekuluar se fitorja e tij mund të forcojë ndikimin rus në Bullgari, sidomos pas deklaratave të tij se mbështet heqjen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Gjenerali Rumen Radev, ish-komandant i forcave ajrore, një politikan i ri, që njihet për qëndrimet miqësore ndaj Rusisë, fitoi rreth 60 për qind të votave, sipas rezultateve pothuajse të plota që u bënë të ditura sot. Ai fitoi kundër kandidates Tsetska Tsacheva, e partisë pozitare e qendrës së djathtë GERB.

“Sot në Bullgari fitoi demokracia kundër apatisë dhe frikës. Pavarësisht gënjeshtrave të qeverisë se do të vijë apokalipsi, ju votuat për ndryshim. Ne duhet të shohim rezultatet e fundit, por për tani një gjë është e qartë – kjo është një votë negative për qeverinë. Çdokush e di se kemi të bëjmë me një situatë të re politike në Bullgari”, tha Gjenerali Radev.

Kryeministri Boyko Borisov uroi gjeneralin Radev dhe njoftoi dorëheqjen e tij, pas asaj që analistët e quajtën një “humbje katastrofike”, duke thënë se ishte e qartë se koalicioni qeverisës nuk ka shumicën dhe me situatën e re nuk mund të kryejë asnjë reformë.

Koalicioni i qendrës së djathtë i zotit Borisov ka dominuar arenën politike të Bullgarisë për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, që kur ai u zgjodh kryeministër për herë të parë në vitin 2009.

Por pas gjysmës së mandatit aktual katërvjeçar, qeveria e koalicionit është përballur me muaj protestash anti-korrupsion, si dhe presion për të përshpejtuar miratimin e reformave gjyqësore.

Gjenerali Radev do ta fillojë detyrën më 22 janar për një mandat pesë vjeçar. Akti i tij i parë ka të ngjarë të jetë thirrja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare për vitin e ardhshëm, për shkak të dorëheqjes së zotit Borisov.

Analistët kanë spekuluar se një fitore e gjeneralit do të forconte ndikimin e Rusisë në Bullgarinë ish-komuniste, një nga vendet anëtare më të dobëta ekonomikisht të Bashkimit Evropian. Spekulimet janë përforcuar nga mbështetja e zotit Radev për heqjen e sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Perëndimi ka vënë sanksione për shkak të rolit të Moskës në krizën e Ukrainës të vitit 2014.

Përveç kësaj, shumë prej 7,2 milionë banorëve të Bullgarisë mbajnë lidhje kulturore me Moskën, e cila gjithashtu i përmbush Bullgarisë shumë nga nevojat e saj energjitike.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG