Lidhje

Parlamenti bullgar miraton dorëheqjen e qeverisë


Protestat kundër kostos së lartë të energjisë elektrike, korrupsionit dhe masave shtrënguese ishin shkas për dorëheqjen e saj

Parlamenti i Bullgarisë pranoi sot dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Boiko Borisov pas protestave të dhunshme që përfshinë vendin për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike, korrupsionit dhe masave shtrënguese.

Parlamenti i Bullgarisë pranoi sot dorëheqjen e qeverisë, pas një vale protestash të dhunshme kundër faturave të larta të energjisë elektrike, duke i hapur rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe duke theksuar zemërimin në Evropë ndaj rritjes së dobët ekonomike dhe masave shtrënguese financiare. 209 deputet votuan në favor të dorëheqjes së qeverisë, 5 votuan kundër dhe 1 abstenoi.

Kryeministri në largim, Boiko Borisov, i cili kishte fituar mbështetjen e investitorët duke shkurtuar deficitin buxhetor, tani po ballafaqohet me vështirësi për rifitimin e besimit të votuesve të lodhur nga varfëria e vazhdueshme dhe korrupsioni.

Rreth 2 mijë njerëz u mblodhën para parlamentit për të shprehur mbështetjen për zotin Borisov. Presidenti Rosen Plevneliev pritet t’u kërkojë tre partive më të mëdha parlamentare të formojnë një qeveri e cila do të ketë mandat deri në korrik.

Por partia GERB e Boiko Borisovit dhe Partia Socialiste në opozitë kanë thënë se nuk janë të interesuara të jenë pjesë e një qeverie kalimtare. Dorëheqja e kabinetit qeveritar ka qetësuar situatën pas një jave kaotike të shoqëruar me protesta kundër qeverisë dhe kërcënime të zyrtarëve bullgarë për heqjen e liçencës së kompanisë çeke të energjisë CEZ. Kompania CEZ është një nga kompanitë më të mëdha në Evropën qëndrore me kapital prej 17, 4 miliard dollarësh dhe protestat kundër kostos së lartë e energjisë elektrike e kanë vënë atë në qendër të vëmendjes.

“Të gjitha ngjarjet që kanë ndodhuar gjatë javës së fundit dëshmojnë se ne kemi një shoqëri civile që nuk fle dhe se idealet tona ekzistojnë”, thotë një protestues.

“Pakënaqësia e njerëzve në Bullgaria ka arritur kulmin. Kjo nuk mund të vazhdojë, ne e kemi hequr Borisovin, i cili ishte problemi më i vogël, por të tjerët janë ende në pushtet, prandaj ne duhet të vazhdojmë luftën tonë”.

Në se përpjekjet për formimin e një qeverie të re dështojnë presidenti Plevneliev mund të kërkojë organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në muajin prill.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG