Lidhje

Ishulli Vis, pikë tërheqëse për turistët

  • Zëri Amerikës

Ishulli Vis, pikë tërheqëse për turistët

Ishulli Vis, pikë tërheqëse për turistët

Bunkerë dhe tunele të ndërtuar dikur nga ushtria jugosllave në ishullin kroat Vis janë bërë vende mjaft tërheqëse për turistët në Detin Adriatik. Deri në vitin 1991, kur kjo ushtri u tërhoq nga ishulli, pas shkëputjes së Kroacisë nga Jugosllavia, të huajt nuk lejoheshin në këtë ishull. Por sot, gjërat kanë ndryshuar.

Ishulli piktoresk i Visit rrethohet nga ujra të kaltër. Varkat dhe jahtet pushojnë në det nën diellin e fortë.

Ky ishull i bukur ka një histori të trazuar - ai ka qenë sunduar nga grekët, romakët, venedikasit, Habsburgët ndërsa gjatë Luftës së Dytë Botërore këtu kishte bazat forca ajrore britanike si dhe rezistenca jugosllave.

Sot, nuk është vetëm klima që tërheq turistët, por edhe historia e pasur ushtarake e ishullit. Pas Luftës së Dytë Botërore, Visi u bë baza kryesore e marinës jugosllave. Në kodrat e tij u hap një rrjet tunelesh dhe llogoresh si dhe u ndërtuan bunkerë për mbrojtjen bërthamore. Shkëmbinjtë e ishullit shërbenin si strehime për anijet dhe nëndetëset luftarake. Hrvoje Klas është guidë turistik në Vis.

"Ushtria jugosllave ndërtoi një bazë të madhe ushtarake në këtë ishull. Me sa dimë, në Vis ka rreth 80 objekte ushtarake. Sot ne kemi rast t’u tregojmë vizitorëve gjëra interesante si strehimet e anijeve, vendin ku u themelua Tanjugu, agjencia jugosllave e lajmeve, komandën e luftës bërthamore, bazat e raketave dhe tunelet e nëndheshme".

Ture të tillë janë një biznes i mirë për ishullin.

Vis ka një pozitë të rëndësishme strategjike, sepse ndodhet në mes të Adriatikut. Shpesh thuhet se Visi kontrollon gjithë Adriatikun. Bazat u braktisën në vitin 1991, kur Kroacia shpalli pavarësinë, duke hyrë në një luftë katër-vjeçare.

Klas di shumë nga sekretet e ishullit, siç është ky vend për ankorimin e nëndetëseve. Ose ky vend i fshehtë me gurë fallco dhe rrjeta kamuflazhi. Dikur raketat ruheshin brenda këtij mali.

"Ushtria Jugosllave nuk ishte në gjendje ta merrte artilerinë me vete prandaj vendosi ta shkatërronte atë se sa t’ja linte ushtrisë kroate."

Por ndërkohë që ishulli rrihet nga një diell i bukur, çfarë mendojnë turistët kur vizitojnë tunelet plot lagështirë? Rozana Rinaldi, është turiste nga Milanoja:

"Mendoj se është shumë interesante sepse kjo të jep mundësinë për të parë jetën gjatë luftës dhe se si ushtarët jetonin në atë kohë. Është diçka e këndshme, sepse të jep rast ta shikosh ishullin edhe nga brenda me florën dhe faunën e tij. "

Kreso Zuhranoviç është turist kroat.

"Është bërë shumë mirë dhe gjithë vizitorët duhet të vijnë në këto ture për të mësuar se si ishin gjërat në atë kohë dhe si kuptoheshin atëherë.”

Tani për tani turet funksionojnë vetëm gjatë pikut të sezonit, por organizatorët planifikojnë t’i zgjerojnë për t’ju përgjigjur kërkesës në rritje.

XS
SM
MD
LG