Lidhje

Të burgosurit në Merilend riparojnë libra

  • Julie Taboh

Shumë prej burgjeve amerikane po zbatojnë programe të reja, pasi më shumë se 40 për qind e të dënuarve, që kanë kryer kohën e tyre dhe janë liruar, janë kthyer sërish në qeli brenda tre viteve. Zyrtarët e burgjeve po përdorin një shumëllojshmëri programesh riedukuese, si trajnime profesionale dhe terapi. Një nga këto institucione në shtetin e Merilendit ka nisur zbatimin e një programi për riparimin e librave si mënyrë për riparimin e jetës së të dënuarve.

Në këtë institucion riedukimi në Boyds, të Merilendit, një grup i vogël të burgosurish riparojnë libra të dëmtuar biblioteke. Ata rregullojnë lidhjet e dobëta, fletët e grisura si dhe kapakët që mungojnë.

Gjatë punës, të burgosur si Gregori Wallace përvetësojnë aftësi të reja si dhe grumbullojnë kohë që u njihet si “sjellje e mirë” për pakësimin e dënimeve të tyre.

"Mua më pëlqen të riparoj lidhjet e dëmtuara, sepse ata janë librat që do të hidheshin. Është e lehtë të ngjisësh një faqe të shkëputur paksa, por kur lidhja shpërbëhet, ata libra përfundojnë në koshin e mbeturinave. Kur sheh që njerëzit kënaqen me punën tënde, edhe ti ndihesh mirë që realizove diçka e cila pëlqehet."

Gregory mendon se është duke shëruar edhe veten, ndërkohë që riparon librat.

"Unë nuk kisha një etikë të fortë pune. Zgjodha jetën e rrugës dhe ky është shkaku që më bën të gjendem në burg. Por, të qenit produktiv, duke bërë diçka konkrete, si kjo punë me librat, më ka bërë të kuptoj se unë mund të jem i dobishëm edhe në shoqëri duke bërë gjëra pozitive, në vend që të zgjedh një drejtim tjetër."

Ndërtimi i besimit tek vetja është një nga qëllimet e programit, thotë oficeri Robert Green, i cili zhvilloi projektin e riparimit të librave.

"Problemi më i madh që kemi në institucionet e riedukimit amerikane - por edhe në mbarë botën - është dhuna brenda vetë këtyre institucioneve. Nuk ka asnjë problem më të madh. Pra, nëse ne mund ta trajtojmë këta çështje jetike duke bërë që njerëzit të ndihen mirë për punën që bëjnë - çka i jep më tepër vlerë ekzistencës së tyre brenda atyre mureve - ndoshta dhuna do të pakësohet."

"Nuk kam rreshtur kurrë së besuari që nëse i jep dikujt diçka me vlerë për të bërë këtu brenda, ata do të impenjohen dhe do të bëjnë maksimumin e mundshëm."

Që kur programi filloi në muajin prill, 22 të burgosur kanë riparuar më shumë se 400 libra, të dërguara në këtë institucion nga bibliotekat e zonës. Shumë nga vëllimet nuk shtypen më, por tani, në sajë të punës së të burgosurve, ata po kthehen sërish në qarkullim. Dhe kjo Gregorit i jep shpresë për të ardhmen tij.

"Synimet e mia janë që të kthehem në shtëpi dhe të punësohem diku edhe nëse nuk do të jetë puna që unë do të doja. Do të ishte një hap përpara. Dhe ndoshat do të aplikoj për t’u futur në shkollë."

I inkurajuar nga suksesi i projektit të riparimit të librave, gardiani Robert Green shpreson të zgjerojë shërbimet e këtij programi duke pranuar libra të dëmtuar nga shkollat publike dhe universitetet lokale.

Përfaqësues qeveritarë të disa vendeve, duke përfshirë Arabinë Saudite dhe Kinën, kanë vizituar burgun për të mësuar më shumë rreth programit.

"Unë nuk justifikoj krimet apo sjelljet kriminale, por përsa i përket të burgosurve, do të ishte shumë gabim nëse nuk përpiqemi t’i ndihmojmë që ata të ndryshojnë rrjedhën e jetës së tyre."

XS
SM
MD
LG