Lidhje

Burgim i përjetshëm për ish presidentin Mubarak

  • Zëri Amerikës

Një avokat i ekipit mbrojtës i tha agjensisë franceze të lajmeve se klienti i tij do ta apelojë dënimin

Presidenti i përmbysur egjiptian, Hosni Mubarak u dënua sot me burgim të përjetshëm. Ai është udhëheqësi i vetëm i rrëzuar gjatë kryengritjeve arabe që gjykohet në vendin e tij. Avokatët thanë se do ta apelojnë vendimin.

Ish Presidenti Hosni Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm për bashkëfajësi në vrasjen e qindra protestuesve anti-qeveritarë gjatë kryengritjes së vitit të kaluar, që e detyroi atë të largohet nga pushteti.

Menjëherë pas dhënies së dënimit, zoti Mubarak u dërgua në burgun Tora. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, ish-presidenti, i cili vazhdimisht ishte sjellë në gjykatë me barelë, mbahej në spital në vend të burgut. Protestuesit prej kohe kishin kërkuar që ish-presidenti të dërgohej nga spitali në burg, si gjithë të pandehurit e tjerë.

Një avokat i ekipit të zotit Mubarak i tha agjensisë franceze të lajmeve se klienti i tij do ta apelojë dënimin.

Zoti Mubarak është udhëheqësi i vetëm i rrëzuar në kryengritjen arabe që gjykohet në vendin e tij.

Ish ministrit të brendshëm, Habib al-Adly iu dha gjithashtu dënim me burgim të përjetshëm për vrasje, ndërsa gjashtë ish-komandantëve të policisë iu hoqën akuzat.

Dy djemtë e zotit Mubarak, Alaa dhe Gamal, u liruan nga akuza për korrupsion.

Pas shpalljes së vendimit për djemtë e zotit Mubarak, në sallën e gjyqit shpërthyen përleshjet.

Prokurori kishte kërkuar dënimin me vdekje për ish-presidentin, i cili është 84 vjeç. Gjyqi i tij filloi në gusht të vitit të kaluar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG